Një delegacion i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë i kryesuar nga kryetari i saj, akad. Skënder Gjinushi, mori pjesë në mbledhjen solemne vjetore të Akademisë Austriake të Shkencave, që u zhvillua në Vjenë. Pas përfundimit të mbledhjes, akad. Gjinushi dhe pjesëtarët e tjerë të delegacionit, u pritën nga Presidenti i Akademisë Austriake të Shkencave prof. Heinz Fassmann dhe zv. Presidentja Ulrike Diebold. Gjatë kësaj pritjeje u nënshkrua edhe memorandumi i mirëkuptimit ndërmjet dy akademive. Sipas ASH, ky memorandum është i katërti që akademitë nënshkruajnë, duke filluar që nga viti 1989. Në fjalën e tij përshëndetëse, akad. Gjinushi theksoi traditën e bashkëpunimit të akademive dhe rolin e albanologëve austriakë dhe shkollës austriake në zhvillimin e albanologjisë. Ai shprehu mirënjohjen për rolin e albanologëve austriakë në kthimin e albanologjisë në një fushë studimi me objekt e metodë shkencore.
“Tepër domethënës është fakti se Gotfried Leibnitz, ideatori i themelimit të një akademie austriake të shkencës është ndër të parët që hodhi hipotezën e lidhjes së gjuhës shqipe me ilirishten, duke u bërë kështu, ideator i tezës themelore të albanologjisë”, tha akad. Gjinushi. Më tej Gjinushi vijon se Akademia jonë prej tre vjetësh është në reformim dhe në këtë proces ne kanë marrë Akademinë austriake si model organizimi. “Falë kësaj reforme, Akademia jonë tashmë ka 55 anëtarë të rregullt, 10 anëtarë të jashtëm dhe rreth 20 anëtarë nderi; Në Akademinë tonë funksionojnë 9 komitete të përhershme me 130 anëtarë, ku përfshihen profesorë dhe studiues nga universitetet dhe institutet më të njohura të vendit, si dhe rreth dhjetë njësi kërkimore të orientuara kryesisht drejt shkencave tekniko-natyrore si nano- dhe bio-teknologjia; të cilat ne kemi ambicien t’i shndërrojmë në institute të vërteta kërkimore”, tha akad. Gjinushi. Kreu i ASH vijoi se për të gjitha këto, bashkëpunimi është shumë i rëndësishëm për akademinë tonë. “Ky bashkëpunim mund të shtrihet në të gjitha fushat e shkencës dhe veçanërisht në arkeologji, histori dhe gjuhë, ku tashmë ka një përvojë pozitive”, tha Gjinushi. Ndërkohë që kryetari i Akademisë Austriake të Shkencave prof. Fassmann shprehu dëshirën për të vizituar Akademinë e Shqipërisë.