Home Editorial Faleminderit që bëni detyrën duke pastruar qytetin!

Faleminderit që bëni detyrën duke pastruar qytetin!

Nga Sonja Llana

Politikanët shqiptarë kanë një tendencë qesharake t’i ngjajnë liderit, në vend që të sjellin risi e të jenë një model që qëndron më vete edhe brenda grupit. Kështu me gjithë dëshirën e kryeministrit për të shkëlqyer në gjithcka që ka të bëjë me propogandën online, ka nisur prej kohësh një garë ministrash e kryebashkiakësh kush është më influencer se tjetri. Ky nuk është lajm i ri, por prej kohësh më shfaqen statuse në rrjetet sociale  nga pushteti vendor i Durrësit dhe së fundmi dhe nga ministrja Kumbaro me foto e video ku mbishkrimet janë “po punojmë ndërkohë që  ju flini”, “ju flini ne pastrojmë”,  “ju flini ne ju bëjmë gati plazhin”… Më falni mos ndoshta duhet të zgjohemi dhe të kapim lopatat dhe ne?

Çfarë domethënie ka saktësisht të tregosh që bashkia po pastron qytetin? Nëse nuk e dini, Bashkia e ka detyre të pastrojë qytetin. Bashkia vjel taksa në mënyrë që të përballojë ekzistencën e një ndërmarrje që pastron qytetin. Po fjala bie kur qyteti dhe kjo nuk ndodh rrallë zhytet në plehra përse nuk mblidheni të publikoni foto të tipit: “Nuk e kemi pastruar qytetin”, “ ndërkohë që ju shëtisni me fëmijët qyteti kuterbon” etj?

Bëni punën! Kaq kërkohet nga ju dhe asgjë më tepër, gjithcka tjetër është fjalë, fjalë dhe vetëm fjalë ose thënë ndryshe shumë zhurmë për asgjë. Durrësi ka 1001 problematika dhe nuk ekzagjëroj aspak kur e them këtë, nisur që nga nevoja për një bibliotekë të re. Kur të realizoni këtë të fundit prijeni shiritin me krenari para kamerave, por deri atëherë ju lutem mos ia fyeni më tepër inteligjencën këtij populli duke garuar njëlloj si mes zonjave të brezave të vjetër, se kush i ka çarçafët më të bardhë se tjetra!