Home Aktualitet 700 vdekje në vit nga hipertensioni, eksperti i ISHP: Vjen nga kequshqyerja,...

700 vdekje në vit nga hipertensioni, eksperti i ISHP: Vjen nga kequshqyerja, 280 mijë qytetarë vuajnë në të gjithë vendin

Lavdi Dalipi 74 vjeç, bashkëjeton me hipertensionin prej 15 vitesh. Me shumë përkujdesje dhe konsumimin strikt të ilaçeve, ai ka arritur që ta mbajë nën kontroll sëmundjen.

“Tani e kam stabilizuar. Sot e kisha normal, për pilot. 12 me 8 e kisha. Cdo 4 ditë e masë dhe vetë.”, tha Lavdi Dalipi.

Hipertensioni, për ekspertët e shëndetësisë, cilësohet si vrasës i fshehtë, pasi jo në të gjitha rastet, shfaq simptoma. Në këto kushte, ata sugjerojnë ekzaminime të shpeshta.

“Shenjat mund të shfaqen në një moment të avancuar, me dhimbje në zëmër, apo të paralizës. Mos të presim shenjat. Në pjesën më të madhe të rasteve nuk ka asnjë shenjë”, tha eksperti i ISHP, Alban Ylli.

“Dëmton zemrën, trurin dhe veshkat. Shenjat janë individuale. Janë me dhimbje koke, përzierje dhe humbje të ekuilibrit. Jep edhe të skuqur”, tha mjeku i familjes së QSH4, Ermal Dada.

Më së shumti, shkaqet lidhen me kequshqyerjen dhe jetën sedentare, ndërsa është ulur ndjeshëm mosha e pacientëve me këtë sëmundje.

“Më pak kripë, ushqime të shëndetshme, jo alkool, jo duhan. Nga studimet nëse 1 në 3 shqiptar është me hipertension, tek të rinjtë shifra është 5 deri në 10%. Problemet fillojnë tek të rinjtë dhe stili i jetës së shëndetshme fillon tek fëmijët”, tha Eksperti i Institutit të Shëndetit Publik, Alban Ylli.

Çdo vit në vendin tonë humbin jetën rreth 700 pacientë nga hipertensioni, ndërsa mbi 280 mijë të tjerë e kanë sëmundje kronike. Hipertensioni ka të bëje me ngurtësim të enëve të gjakut, dhe një presion të shtuar në qarkullimin e tij, duke shkaktuar vështirësi në furnizimin me oksigjen të organeve dhe në funksionimin e zemrës./Shqiptarja.com