Home Aktualitet Dhjetra tonelata prodhime kalben, fermerët në Korçë: 7 vjet nuk marrim ndihmë

Dhjetra tonelata prodhime kalben, fermerët në Korçë: 7 vjet nuk marrim ndihmë

Bujqësia në Shqipëri është njëri prej sektorëve që po vuan më shumë nga ana financiare prej vitesh. Protestat e vazhdueshme të fermerëve në Lushnje dhe Gjirokastër kohët e fundit kanë ngritur alarmin për krizën që po kalon ky sektor për shkak të rritjes së kostos së prodhimit të produkteve bujqësore.

Dy fermerë nga qarku i Korçës pranojnë se prej vitesh dhjetëra tonelata me mollë dhe qepë kalben pasi nuk mund të shiten dot. Taqo Çobani, një banor nga Zvirina thotë për “Syri TV” se ka 8 vjet që nuk ofrohet asnjë lloj varianti për dorëzimin e prodhimeve bujqësore. Ai shton se nga këto politika, kryeministri Edi Rama po e fundos këtë vend.

“Nuk interesohet njeri. Ka 7 vjet që nuk japin një variant për të dorëzuar prodhimin. çfarë vend është ky? Rama thanë do ta bëjë këtë vend, po ky e fundosi fare”, shprehet Çobani.

Llambi Rrapi, një kultivues i mollës pranon se fermerët shqiptarë nuk janë në gjendje të konkurojnë në tregun rajonal. Ai shprehet se 500-600 milionë lekë për bujqësinë grabiten nga shteti.

“Fermeri i fshatit tonë ka mbetur në pozita shumë të vështira. Një nga arsyet kryesore është se e prodhojmë produktin me kosto shumë të lartë. Nuk konkurojmë dot vendet e rajonit. Sipas gjykimit tim, ti vjedhin lekët, ua japin 4-5 personave në Korçë. Marrin nga 500-600 milionë lekë, duke ditur me që me kaq lekë marrin shumë familje”, tregon Rrapi.

Qeveria shqiptare ka parashikuar subvencion për fermerët, por këta të fundit janë shprehur kundër rritjes së TVSH për inputet me 6%.