Rrugët e Kazakistanit janë njollosur me gjak në orët e fundit teksa ende vazhdojnë përleshjet mes protestuesve dhe policisë. Dhjetëra këmbësorë hynë në sheshin kryesor të Almaty, qyteti më i madh dhe kryeqyteti financiar i Kazakistanit për të protestuar kundër qeverisë për të tretën ditë.
Protestat për rritjen e çmimit të gazit gjatë fundjavës janë kthyer në beteja të vërteta gjatë dy ditëve të fundit. Ushtria është duke përdorur granata trullosëse për të shpërndarë protestuesit nga sheshet.
Pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të trazirave në vend, Kazakistani kërkon ndihmë nga CSTO-ja, të drejtuar nga Rusia.
Paqeruajtës të një trupe të Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), të drejtuar nga Rusia, e cila përbëhet nga vende aleate të ish-Bashkimit Sovjetik, do të shkojë në Kazakistan për të ndihmuar për stabilizimin e vendit pas protestave masive.
Presidenti i Kazakistanit Kassym-Jomart Tokayev i kishte më herët thirrje për ndihmë Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive (CSTO), një aleancë ushtarake mes Rusisë, Bjellorusisë, Armenisë, Kazakistanit, Kirgistanit dhe Taxhikistanit.
Shtëpia e Bardhë dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara u kërkuan autoriteteve të Kazakistanit të tregohen të përmbajtur në trajtimin e trazirave të dhunshme civile, pasi qeveria e vendit shpalli pas protestave gjendjen e jashtëzakonshme.
Kazakistani është trazuar që nga fillimi i vitit nga protesta, të cilat u përshkallëzuan të mërkurën në përleshje me policinë. Autoritetet vendase ndërprenë lidhjet me internetin dhe telefonët celular në mbarë vendin dhe shpallën fillimisht gjendjen e jashtëzakonshme në epiqendrat e mitingjeve. Më pas gjendja e jashtëzakonshme u shtri në mbarë vendin, pasi protestat për rritjen e çmimit të karburantit kaluan në përleshje dhe demonstruesit sulmuan ndërtesat qeveritare.