W3vina.COM Free Wordpress Themes Joomla Templates Best Wordpress Themes Premium Wordpress Themes Top Best Wordpress Themes 2012
Home » Dossier » Islam Alikaj, profesori që nuk u shpërblye kurrë për punën shkencore dhe botimet e librave

Islam Alikaj, profesori që nuk u shpërblye kurrë për punën shkencore dhe botimet e librave

islam alikajNga Xhevo Gradica / Ka botuar më shumë se 4 mijë faqe për Matematikën, është autor i dhjetra teksteve mësimore për nxënës në arsimin e mesëm dhe studentë të universiteteve, njohës i disa gjuhëve, mësues e pedagog por asnjëherë nuk është shpërblyer qoftë me një stimul moral. Jeta e pedagogut Islam Alikaj është sa interesante dhe e veçantë. I ati e nxiti të mësonte sa më shumë gjuhë dhe sakrifikoi ta arsimonte, ndërsa më pas Alikaj jo vetëm që nisi të ecë me këmbët e veta, por edhe u bë emër shumë i njohur në rrethin e autorëve të teksteve, pedagogëve e lektorëve. Shumë tekste të Matematikës për shkollat e mesme dhe universitetet mbajnë emrin e tij, ndërsa për shkak të cenit në biografi provoi edhe rrugëtimet e gjatë në shi e në të ftohtë me biçikletë nga Durrësi për në Jubë. Këtë e pati peshqesh nga regjimi i cili nuk e kishte me sy fare të mirë as mësuesin Alikaj dhe as familjen e tij për arsye se i ati, si njohës i disa gjuhëve, kishte shërbyer si përkthyer në Luftën e Parë dhe në Luftën e Dytë Botërore. Nuk mori ndonjëherë vlerësime nga regjimi, ndërsa thotë se vlerësimi më i madh vjen nga qytetarët, nxënës, studentë dhe kolegë pasi të gjithë e thërrasin “Profesor”.
Jeta
Islam Alikaj u lind në Kuçovë në marsin e vitit 1939. Në moshë fare të vogël, pa mbushur 7 vjeç, prindërit së bashku me fëmijët e familjes dëbohen nga Kuçova për të vazdhuar për disa vite ndëshkim e persekutim. Për shkak të nderave që kishte bërë në atë periudhë, pas Çlirimit të vendit, njerëz të afërm dhe të tjerë që e njohën i sugjeruan të ikë për t’i shpëtuar pushkatimit. Ndonëse ma shpresën më të vogël, u detyrua të dëgjonte këshillat e dashamirësve dhe miqve. Me fëmijë të vegjël dhe me njëmijë halle ekonomike mori torbën në krah për të kërkuar diku tjetër strehë, si mënyrë e mirë për të mos u bërë më objekt i përfoljeve të zonës. I ati përkthyer me austriakët në komandën e përgjitshhme në Shijak dhe më pas përkthyes me gjermanët në Luftën e Dytë Botërore nuk do i shpëtonte as ai dhe as fëmijët e tij ndëshkimit politik, megjithatë syrgjynosja do të krijonte mundësi për mbijetesë. Haki Isufi drejtor i përgjitshhëm i ullishteve u shpëton jetën pasi vendosen në Durrës. Isufi ishte njeri me kulturë. Qe arsimuar në Itali. Islami përfundon gjimnazin me nota të shkëlqyera në vitin 1958, ndërsa studimet e larta në Fakultetin e Shkëncave të Natyrës, dega Matematikë, Universiteti Tiranës do i kryente me të njëjtat rezultate katër vite më pas. Çështja biografike herë nxirrte kokë dhe herë venitej, megjithatë emri tij si dhe i të gjithë pjestarëve të familjes, gjendej i rrethuar me të kuq. Punon për dhjetë vite mësues në arsimin e detyruar, ndërsa pas dhjetë vitesh mundi të kryente kursin pasuniversitar në katedrën e Matematikës. Por në kohën që donte të mbronte temën e desertacionit u rishfaqën dosjet e strukura në degën e brendshme dhe kjo mjafoti për t’ia mohuar këtë mundësi e cila do e nxitte për të bërë karrierë. Botimi i parë në vitin 1969 tek revista  “Shkenca dhe jeta” me temë “Si përftohen prerjet optimale”. Ka shërbyer në gjimnazin e Krujës, Shijakut, Durrësit, pedagog në Universitetin e Durrësit. Alikaj pranon se nuk ishte i vetëm që u ndesh me njëmijë e një pengesa pasi sistemi vendosur në vendin tonë nuk kishte si primare rezultatet dhe përkushtimin profesional. Përvojë më vete për të kanë qenë 10 vitet e mësuesisë në arsimin e detyruar shkollor në fshatin Jubë të Katundit të Ri, po aq të tjera në gjimnazin “Naim Frashëri” dhe 5 vite në shkollën e mesme “Gjergj Kastrioti” në Durrës. Tema shkencore për të shkuar drejt përfundimit të suksesshëm të studimeve pasuniversitare duhej ndjekur nga Instituti Studimeve Pedagogjike. Në ato vite Alikaj gjendej në Jubë, mësues nën vëzhgim dhe kjo dihej nga strukturat e shtetit. Kur punonjësit shkencore tek Instituti Studimeve Pedagogjike i panë punimet e Alikajt i kthehen e i thonë” Shumë paske punuar me këto tema shkencore. Po përse je mësues në Jubë?  Ndërsa përgjigja e tij se do të shkojë atje ku të ketë nevojë Atdheu, nuk zbuti qëndrimin e tyre dhe pa mbaruar mirë fjalën ia kthejnë: Lëri këto me ne, reaksionar. Mblidhi këto letra dhe mos hajde më këtu tek unë.” . Provokime të tilla të rënda dhe shumë të rënda për kohën do të jenë të përsëritura pasi mësuesi që në vitin 1973 e në vijim mori pjesë aktive në përgatitjen e temave, materialeve dhe teksteve me karakter shkencor. Një jetë e tëra me punë shkencore. Plot 50 vite. Në vitin 1973 boton në fushën e Astonomisë punime shumë serioze me karakter shkencor. 4000 faqe botime në Matematikë nga niveli arsimit të mesëm deri tek ai universitar. Në vitin 1980 ka mbrojtur në katedrën e Frengjishtes gjuhën frenge e cila i duhej për të mbrojtur studimet pasuniversitare, në një kohë materialet shkencore sa vinin dhe shtoheshin duke e bërë mësuesin Alikaj shumë të dëgjuar në shkollat 8-vjeçare, në shkollat e mesme dhe në auditoret e universiteteve. Universiteti Durrësit ka dy tekste bazë të përgatitura nga Islam Alikaj “Analiza matematike” për Fakulttetin Ekonomik dhe “Trigonometria”.  Në Durrës dhe përgjithësisht të gjitha shkollat e mesme të vendit zhvillohen tekstet e Matematikës të përgatitur nga Alikaj dhe në disa raste nga ai së bashku me kolegë të tij. Klasat e nënta në provimet e lirimit mësojnë me tekste të tij. të zgjedhura janë tekstet e tij sidomos për nxënës që kërkojnë të jenë më të avancuar në këtë disiplinë se pjesa tjetër për shkak të prirjeve. Kjo kategori nxënësish kanë ballafaqur njohuritë e tyre në konkurse e olimpiada pikërisht me tekstet e përgatitura nga Alikaj i cili ka përgatitur edhe libra për Matematikën e thelluar, ndërkohë që prej tre-katër dekadash njihet edhe si autor i tekstit bazë. Disa vite ka qenë pedagon në universitetin e Durrës, ndërkohë që për shkak të punës shkencore dhe përgatitjes e përkushtimit të veçantë në këtë lëndë Është shpallur Matematikan. Nxënës e studentë të dalë nga dora profesorit të Matematikës sot janë bërë pjesë elitare e shoqërisë shqiptyare, pedagogë, bashkëpunëtorë shkencorë, shefa katedrash, analistë etj. Me 3 janar 1991 merr pjesë në të parin miting për rrëzimin e regjimit komunist në Durrës, kurse për periudhën 1991-1993 shef i PD në degën e Durrësit, kohë që kryetar partie ishte Artan Hoxha. Pas përmbysjes së sistemit komunsit ka dhënë leksione për nxënës e studentë në gjuhë të huaj gjermanisht, frengjisht, anglisht, një pjesë e të cilëve merrnin leksione për të vijuar studimet e larta jashtë vendi, apo për të aplikuar për punë brenda e jashtë Shqipërisë. Gjuhën gjermane Alikaj e mësoi nga i ati dhe kjo do i shërbejë jashtëzakonisht si një tjetër mundësi për t’u prezantuar si intelektual i mirëfilltë. Ka dhënë mësim për studentë gjuhën gjermane 1988-1993 në Durrës, ndërsa hapja e Shqipërisë bëri që shumëkush të ndiente nëvojën për të mësuar gjuhën e huaj gjermane. Kurset fillimisht i zhvillonte në një klasë tek “Gjergj Kastrioti” dhe më pas tek dega PD. Kishte inxhinierë, ekonomistë, financierë, mjekë, maturantë, punëtorë e specialist. Islam Alikaj i cili edhe sot vazdhon të rend pas punës shkencore dhe përgatitjes së teksteve të reja është njohës i Rusishtes, anglishtes, frengjishtes, italisht, greqisht. Të pesë gjuhët i shkruan me gramatikë. Gjuhën greke e përvetësoi në kohën që hapi një agjensi detare. Për të mos mjaftuar një punë e tillë plot pasion, mundim e sakrificë, ka përkthyer edhe libra, kryesisht nga frengjishtja. Në natyrë Alikaj ishte i qetë, megjithatë jo rrallë shfaqej rebelimi si në rastin e përgatitjes së ditarit në kohën që ishte mësues në Jubë të Durrësit. Ditarin e shkruante frengisht dhe në kapak shkruante Jam i pamposhtur. Si për çudi drejtori i shkollës e lejonte këtë shprehje thuajse të hapur të pakënaqësisë së tij. Në kohën që emri tij bëhet gjithnjë dhe më i njohur, pati edhe nga ata drejtues që e këkronin me insistim ta kishin pjesë të trupës mësimore. Drejtori i shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës P. Luarasi bëri të pamundurën dhe e mori në vitin 1985 duke e shkëputur nga fshati i thellë i Durrësit me të cilin e lidhnin shumë kujtime të mira dhe të trishtuara.
Kuriozitet
Botova një shkrim me titull “Hëna në ndihmë të peshkimit”. Materiali u botua. Një ditë vija nga Juba, fshati ku isha dëbuar të punoja për shkak të biografisë, teksa më ndalojnë disa persona që unë nuk i njihja fare. Ishte mbrëmje. Sapo u afrove tek sera, kështu quhej vendi fare pranë pallatit të kulturës së Durrësit, shoh tre vetë. Unë kisha vendosur në kokë një kapelë dhe ecja disi i frikësuar pasi ata ishin me jaka të ngritura, ndërsa m’i kishin ngulur sytë. Një qëndrim të tillë mbanin në atë kohë punonjësit e degës dhe spiunët. Duke qenë me “njollë” mendja më vajti se mos ndokush donte të më arrestonte. Ata i kishte dërguar nga Tirana Aleko Minga dhe u kishte thënë se në Durrës më kishin mua si specialist për t’u dhënë përgjigje. Më ndaluan. Në atë kohë ishte “arresto sot e arresto nesër” ndaj kjo pamje dhe prezantimi me trembi shumë. Fare nuk kishte rëndësi je apo jo i fajshëm, po të arrestoheshe nuk kishte njeri që të bënte dërman. Isha i lodhur, kisha bërë pesëmbëdhjetë dhjetra kilemetra nga Juba në Durrës dhe po të mendosh se këtë rrugë e bëja dy herë në ditë, një herë vajtje dhe një herë ardhje në shtëpi, ishte torturë. Nga Juba e deri në qytet udhëtimi në ditë me kohë të mirë bënte 2 orë e 30 minuta. Kur ishte shi, ftohtë, ngricë ca më shumë se kaq. Kjo jo për një a dy vjet, por për dhjetë vite rresht. Rruga ishte me baltë dhe gurë. Sa herë që binte në shi më duhej të vendosja kapelën dhe mushamanë për të vazdhuar më pas rrugën deri tek vendi. Qullë e të ngrirë. Atje, tek soba klasës thaheshim si unë edhe kolegët e mi. Mësueset femra mbeteshin pa u martuar vetëm ngase qëndronin gjatë në fshatrat e thellë dhe e kishin të pamundur të njihnin djem për të krijuar familjen. Të kthehemi atje ku e lamë. Ata me kapelë pasi e panë se unë nuk e prita ngrohtë takimin dhe prezantimin me ta për shkak të së kaluarës së familjes, më thanë se vinin nga Ministria e Bujqësisë dhe se i kishte dërguar profesor Minga. Më tregojnë problemin e tyre që kishte të bënte me pamundësinë për t’u kujdesur për midhjet pasi ngordhnin.  Kishin lexuar shkrimin tim dhe më shpjegojnë se ngjarja ka lidhje me detin. Kërkonin formulën. U ndala në mes të rrugës, u thashë të nxjerrin letër e laps e të shkruajnë. U habitën se si unë mbaja mend çdo formulë.
Korrupsioni
Për mësuesin, pedagogun dhe punonjësin shkencor korrupsioni ka ekzistuar gjithmonë siç ka ekzistuar gjithmonë dashuria, siç kanë ekzzistuar gjithmonë një vajzë e bukur, një djalë i bukur. “Populli thotë se kur dikush i futi paranë nën libër, ai e lexoi ligjin ndryshe”,-mbështet mendimin e tij profesori nderuar. Sipas tij qytetari dhe shteti nuk duhet të pajtohet e as ta pranojë këtë fenomen, por ai ekziston. Alikaj gjykon se burimi korrupsionit lidhet drejtpëdrejtë me mbylljen tonë, me izolimin e gjatë, me mosnjohjen e vlerave dhe parimeve të demokracisë perëndimore. Kjo shfaqet në dëshirën e një grupi njerëzish të cilët duan të pasurohen në kohën sa më shkurtër. Në kohën e mbretërimit të Zogut, tregon Alikaj, paga e mësuesit justifikonte edhe kujdesin për familjen, edhe ndërtimin e një shtëpie dy e më shumë katëshe, kurse që nga 1944 e deri më sot rroga mjafton vetëm për të mbajtur familjen me ushqim e veshmbathje. Të gjithë pedagogët e brezit të vjetër që kanë shtëpitë e tyre në Tiranë, Durrës, Shkodër, Elbasan, Korçë etj i kanë shtëpi dykatëshe, vila të vogla, të zbukuruara e të kompletuara shumë mirë. “Mësues ishin edhe ata. Brezit tonë rroga i ka munguar për të pëërmbushur detyrimet. Një palë këpucë kishim, këpucë 900 dhe ato i dërgonim për t’i riparuar. Një kostum kam prerë dhe me shumë vështirësi në ditën e martesës”,-tregon Alikaj
Botimet e fundit
Matematika Teori dhe ushtrime, Globus R.
Trigonometria ( me bashkautorë N. Dervishi) Mediaprint
Analiza matematike  Për studentët e fakulteteve inxhinierike
Matematika për shkollën 9-vjeçare
Ekuacionet diferenciale
Matematikë e thelluar
Matematika- shkolla 9-vjeçare
Matematika 6 mediaprint
Matematika bërthamë
Analiza matematike Për fakultetet ekonomike
Matematika 12 ( me bashkautorë Astrit Polovina e Luixh Gjoka)

Jeni ndier i motivuar dhe i vlerësuar për kontributin me peshë dhe me karakter shkencorë?
Asnjë vlerësim nuk kam marrë. Kam shërbyer vetëm si mësimdhënës, asnjëherë nuk u pa e arsyeshme të bëhesha së paku drejtor a nëndrejtor në një shkollë. Jo se e kam dëshiruar ndonjëherë. Jam ndier më mirë në këtë mënyrë pasi kjo më ka dhënë mundësi të kem një shoqëri më të çiltër. Mes kolegëve diskutohej disa herë se si ndodh kështu. Ata ishin të bindur se e vetmja gjë që më pengonte ishte biografia. Por realisht kishte edhe diçka tjetër. Unë, në natyrë, kam qenë kurdoherë i çiltër, por edhe rebel. E kam fjalën për rastet e padrejtësisë. Kolegët e dinin këtë gjë dhe u jam mirënjohës se më kanë admiruar dhe përkrahur. Ata më kanë shikuar si kolegun e pasionuar pas lëndës sime. Përgëzimet e tyre për punën shkencore në hartimin e teksteve të Matematikës, më kanë dhënë kurajo të mos thyhem edhe në ato raste që në një formë apo në një tjetër vinin si provokime për të më ndëshkuar politikisht. Pas vitit 1992 nisa të jap kurse për gjuhë gjermane. I vetmi që është kujtuar të vlerësojë ndihmesën time në fushën e mësuesisë dhe botimit të teksteve është kryetari bashkisë Vangjush Dako i cili më dha “Mirënjohje e qytetit”. Për të qenë i sinqertë, më duhet të pranoj se të gjithë ish nxënësit e mi, kolegët, pegadogët, ministra, deputetë e politikanë, të cilët më njohin mua, apo mësojnë se unë jam Islam Alikaj më thërrasin “Profesor” dhe ky nder e titull për mua është çdo gjë. Çfarë mund të dojë tjetër një njeri më shumë se kaq?
Nga duhet të nisë puna për një të arsimuar që kërkon të bëjë emër edhe si punonjës shkencor?
Nuk mund të shkruajë tekst një person që nuk di gjuhë të huaja. Në studion time kam literaturë të bollshme. Në Francë bleva Matematikën e maturës së vitit 2012. Në Spanjë librin e vitit 2011, në Gjerman 2010, në Itali Matematikën e vitit 2009 dhe për ta mbyllë bleva edhe një libër në rusisht. Unë i kam lexuar të gjithë këto tekste, I kam parë me vëmendjen më të madhe pasi më ka interesuar për të ditur ritmet e hapave të punës që bëjnë ne me tekstet shkollore dhe ato universitare. I lexoj si një libër shqip. Kjo më ka ndihmuar të krahasohem me praktikat e kohës lidhur me hartimin e teksteve. Nuk do e teproja po t’u bëj të ditur nxënësve, maturantëve, studentëve dhe kolegëve të mi pegadogë se tekstet unë i kam në sinkronë me programet e universitetit të Los Angelos. Literatura në gjuhë angleze më ka ndihmuar dhe tekstet që unë kam nxjerrë për tregun mësimdhënës janë të të njëjtit nivel me tekstete, programet dhe standartet e vendeve më të zhvilluara. Përvoja evropiane dhe ajo botërore janë bërë pjesë e tyre edhe tek ne dhe kjo është një praktikë që kemi ndjekur prej vite e vitesh. Pedagogët tanë në shkencat e natyrës kanë qenë vërtetë njerëz e intelektualë të mëdhenj, kërkues, studiues të pasionuar, metodistë të përkryer. Mjafton t’u them se jam student i Turdiut të madh dhe pedagogëve Petraq Pilika, Aleko Minga. Ata na dhanë njohuritë bazë shkencore dhe metodikën e punës shkencore dhe kërkuese. Kjo më ka nxitur kurdoherë për të bërë gjetjet e mia në specialitetin e një matematiceni kërkues, ndërkohë që edhe pasuria intelektuale e babait dhe kultura e gjerë e tij si zotërues i shumë gjuhëve ndikoi në shtytjen e mëtejshme.
Cilësia e teksteve të sotme me ato të para 90 apo edhe të para disa vitevë ka ndonjë diferencim të dukshëm?
Na intereson shumë të dimë nëse ka apo jo dallim në hartimin e teksteve dhe në programet e tyre. Çfarë pruri koha? Për të qenë serioz dhe për të folur me saktësi të plotë po marr si shembull në këtë ballafaqim mes teksteve vetëm librat e Matematikës të ndarë në dy periudha, para dhe pas vitit 2005 por jo më larg se viti 2000. Tekstet e sotme ngjajnë me një njeri të veshur mirë e bukur, ndërsa ato të para vitit 2005 i ngjajnë njeriut të uritur e të rreckosur.  Ndryshimet që u bënë pas vitit 2004-2005 qenë shumë serioze dhe kjo bëri që puna të vihet për fije. Kam vizituar disa shkolla vitet e fundit. Ato janë shumë të mrekullueshme jo vetëm përsa i përket infrsatrukturës, por edhe për shkak të përmirësimeve rrënjëjsore në programe e tekste. Sot në shkolla ka seriozitet, ka konkurencë, ka mundësi përzgjedhje të librit. Libri u çlirua nga monopolet dhe është në treg si konkurent mes librave të shumëllojshëm. Sot nuk ka më libra të dobtë në dorën e nxënësve dhe kjo u bë e mundur në saj edhe të libariberalizimit të shtëpive botuese dhe agjensive që punonjnë për të konkuruar me librat e tyre. Alterteksti solli cilësi, konkurencë. Kam dëgjuar disa vërejtje lidhur me këtë risi, por jam i bindur se të interesuar për të krijuar një zhurmë të tillë janë ata që kërkonin të e kishin vet monopol librin. Është futur në punë Astrit Polovina emër me pushtet të plotë në këtë disiplinë shkencore, ai është një mjeshtër i madh. Programet bëhen nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe janë ku e ku me të parat. Këto të fundit janë shumë më mirë, shumë më lart se ato më parë. Libri nuk është vetëm tre-katër ngjyrësh, por edhe i plotë në strukturë. Kam pasur mundësi të shkruajë tekste Matematike për universitet siç kam bërë edhe për maturën. Jam i bindur dhe i sigurtë se gjimnazi ka libra të standarit të duhur, në dallim me ato universitare që shkruhen nga vet pedagogët. Atje nuk ka konkurencë. Pedagogu qe jep lëndën, bë tekstin. Përsa i përket nivelit të nxënësve dhe studentëve besoj se sot studentët dhe nxënësit janë shumë më shumë të përgatitur se vite më parë dhe këtë e lidh me përmirësimin rrënjësor të programeve dhe teksteve si dhe me rivalitetin mes të rinjve, por edhe mes kolegëve. Në kohënkur jepja matematikë tek “Gjergj Kastrioti” në qytetin e Durrësit kishte vetëm dy matura, tani vetëm një shkollë ka 12 matura.
Botimi i parë i juaji erdhi në vitet 1980. Ju kujtohet se sa ka qenë shpërblimi për punën e kualifikuar dhe të vsshtirë?
Po, në vitin 1980 botova librin e parë. 3000 kopjo gjithësej Përgatitja e gjimnazistëve për olimpiadën e Matematikës. U shtrova dhe kam punuar me orë të tëra pa ndërprerje në ditë deri sa arrita tek objektivi. Ju nuk e besoni se unë u shpërbleva me 350 lekë, gjysëm rroge. Isha në Jubë në ato vite, pra isha nën survejim dhe i dëbuar nga regjimi kohës. Më ndihmoi shumë për botim Astrit Polovina. Emri im nuk u vendos në ballinën e librit të Matematikës. Isha me “njollë”, biografi jo të mirë dhe pushteti i kohës na shikonte me syrin e njerkut. Teksti ishte cilësor dhe u shit shumë shpejt në të gjithë Shqipërinë. Suksesi më dha besim dhe mbështetje për të mos u shkëputur më nga botimet e reja. Kështu botova Matematikën bërthamë dhe që është për masën e nxënësve.  Shumë cilësore dhe mjaft e pëlqyer ka qenë Matematika e thelluar, edhe kjo për arsimin e mesëm, por me një dallim se ajo u shërben kategorisë së nënësve me rezultate të larta, pra ka brenda tekste dhe ushtrime të nivelit shumë cilësorë.
Babai juaj ka qenë njohës i mirë i disa gjuhëve. Kultura gjuhësore e tij u ndohmoi edhe ju. 
Babai ynë është i datëlindjes 1895. Në Egjipt kisha një dajë që e ndihmonte tim atë. Babai i mësoi gjuhët duke shkuar vend më vend, shtet më shtet. Në Aleksandri ndenji dy vite e gjysëm për të mësuar arabisht. Shkoi në Greqi e mësoi greqishten, për një vit qëndrimi në  Malin e Zi mundi të mësojë mirë serbisht. Pastaj shëtiti edhe në Itali e Austri ku mësoi italisht e gjermansisht. Gjatë Luftës së Parë Botërore shërbeu si përkthyes i austriakëve në Shijak, në komandën e përgjitshhme. Mësimet i përvetësoi në mënyrë autodidakte, megjithatë u thellua më tej për shkak se kishte një natyrë këmbëngulëse të cilët e ushqeu edhe tek ne, fëmijët e tij. Për të ndërtuar ekonominë e familjes babai na ka shtruar të mësojmë disa zanate si mundësi për të mbijetuar në ato vite që kishte shumë krizë e varfëri të madhe, kurse unë i jam shumë mirënjohës edhe për këmbënguljen e madhe që unë të studiojë dhe të mësojë gjuhë të huaja.
Vitet kanë ecur dhe është vështirë të kujtohen një nga një emrat e profesorëve më të vlerësuar nga ana juaj, apo edhe të bashkëpunëtorëve e metodistëve të nderuar.
Sigurisht që duhet pak minuta për t’u kthjelluar. Megjithatë po rendis disa prej tyre për të cilën ruaj konsideratën më të thellë për shka se i janë përkushtuar anës shkencore dhe metodike. Unë jam student i profesorëve të njohur dhe të mrekullueshëm Qazim Turdiu  Aleko Minga, Sotir Kuneshka . Ata më mësuan se si edukohet shkencërisht një studentë. Ndërsa si bashkëpunëtorë do të kisha një listë të gjatë. Puna dhe pasioni tyre më ka lënë kujtime e mbresa të veçanta. Të tilla janë Agim Bërdulla, Mina Naqo, Petrit Velja “Mësues i Popullit”, Gaqo Harilla, Melek Kalamishi, reshat Bilali, Murat Dervishi Gjergj Frashëri, Vangjel Tati, Milena Nishku, Jani Rizo, Gëzim Hoxha, Bardhyl Ballanca, Hilmi Bekteshi, Fiqiri Resuli etj. Në çdo gjë e kemi ndërtuar me punë, përkushtim e sakrificë. Kjo na dha emër të mirë dhe respekt.

Short URL: http://bulevardionline.com/?p=6586

Posted by on Oct 22 2013. Filed under Dossier. You can follow any responses to this entry through the RSS 2.0. You can leave a response or trackback to this entry

Leave a Reply

Na ndiqni dhe ne facebook

Voto dhe ti sondazhet tona:

See all polls and results

Reklama:

ujesjellesi ukd 1 faqe per gazeten_Page_2

rsz_reklama_orkidese_

© 2014 Gazeta Bulevard. All Rights Reserved. Log in -