Home Dossier Zymer Haziri, arsimdashësi i pasionuar i cili dha jetën në mbrojtje të...

Zymer Haziri, arsimdashësi i pasionuar i cili dha jetën në mbrojtje të arsmit kombëtar

Presentation1Nga Bedri Tahiri / “Ndë mos u shkroftë gjuha shqipe, nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do të ketë shqiptarë në faqe të dheut dhe as nuk do të shënohet emri Shqipëri në hartën e botës”. (Kostandin Kristoforidhi) / Historia e popullit shqiptar është, sa e dhimbshme, aq edhe krenare. Përherë luftëra e beteja, sakrificë e mbijetesë. Fati i popullit tim është edhe fati im,- thoshte mendjendrituri ynë, Pjetër Bogdani. Lirisht mund të thuhet edhe ndryshe: Fati i popullit shqiptar është edhe fati i shkollës shqipe. Pushka dhe pena, denbabaden, bashkëjetuan të pandara, si vëllezërit siamezë. Njëra pa tjetrën as që mund të mendonin gjallimin e tyre nëpër kapërcyellit historike. Zymer (Hazir) Haziri u lind më 02.11.1942 në Druar të Vushtrrisë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, kurse të mesmen, drejtimi i saldimit elektrik, privatisht, e kreu me sukses të shkëlqyeshëm , duke u bërë një saldues mjaft i njohur. Dëshira për të vazhduar në nivele më të larta nuk iu realizua. Për shkak të kushteve të rënda ekonomike, u detyrua që ta ndërpresë dhe të gjejë punë për ta mbajtur familjen. Në ndërkohë, mësimet i vazhdoi tek një hoxhë i fshatit, andaj s’do mend se që nga ajo kohë në opinionin e gjerë ishte i njohur me emrin- Hoxha. Si më i madhi djalë i Hazirit, ishte edhe mbajtës i familjes. Me profesionin që kishte u detyrua të punonte në shumë organizata në Kosovë dhe jashtë saj, si në Libi, në Irak e në Gjermani. Zymeri me bashkëshorten Shefkijen, patën tetë fëmijë, pesë djem: Fadilin, Shemsiun, Xhavitin, Xhemshitin dhe Ekremin si dhe tri vajza: Feriden, Taiben e Negipen. Ai kishte edhe një vëlla, Zenelin. Sa i përket personalitetit të tij, ai ishte një njeri mjaft i zgjuar, ishte i afërt dhe i dashur me njerëzit. Si virtyte kryesore kishte drejtësinë, qëndrueshmërinë dhe trimërinë e pashoqe për ta mbrojtur realitetin, si dhe ishte një aplikues praktik i parimeve të fesë Islame. Zymeri vdiq në Vushtrri, më 15. 0 . 1999 nga dhuna policore serbe, mu në kohën kur bënte përpjekje për ta mbrojtur arsimin dhe shkollën shqipe në qytetin e lashtë të Hasan Prishtinës.

Shkolla shqipe të mbijetojë
Personaliteti i Zymer Hazirit shquhet për mbajtjen gjallë dhe funksionimin normal të arsimit dhe shkollës shqipe në qytetin e Vushtrrisë në periudhat 1991 /1992 dhe 1994 /1995.Sshtëpia e tij qe e para shtëpi- shkollë në qytetin e Vushtrrisë, në vitin shkollor 1991/1992. Më saktësisht, ajo filloi punën më 18. 01. 1992, në të cilën mësimi u zhvillua në dy drejtimi; drejtimi gjuhësor dhe ai shkencor. Sa i përket procesit mësimor gjatë vitit shkollor 1991/1992, mund të themi se ai u zhvillua normalisht në këtë shtëpi, edhe pse kishte disa “vizita” të policisë serbe. Vlen të ceket se shtëpia e tij ishte tri katëshe, me gjashtë dhoma, tri prej të cilave u shndërruan në mësonjëtore. Personaliteti i këtij arsimdashësi nuk konsiston vetëm në shdërrimin e shtëpisë së tij në shkollë, por edhe në sakrificën sublime që bëri për funksionimin normal të arsimit të mesëm edhe gjatë vitit shkollor 1994/ 1995. Ishte viti shkollor 1994/1995, kur arsimi i mesëm u gjend në një situatë mjaft të rendë, pasiqë policia serbe nuk lejonte funksionimin normal të tij. Duke parë gjendjen e krijuar, Zymeri me familjen e tij vendosën sërish që shtëpinë e tyre ta shndërrojnë në shkollë. Kështu, më 18. 10. 1994, në shtëpinë e tyre u vendosën nxënësit Gjimnazit, drejtimi i përgjithshëm. Mbas dy ditësh policia serbe ndërhyn për ta mbyllur shkollën në shtëpinë e tij. Me të parë që policia serbe ka ndërhyrë në shtëpinë e tij, Zymeri menjëherë del dhe fillon ballafaqimin me ta. Ata kërkojnë që nxënësit të largohen menjëherë nga shtëpia e tij, por Zymeri asesi nuk pranon, duke ju thënë: “Kjo shtëpi është imja dhe unë bëj çka të dua me të. Meqë ju i keni mbyllur shkollat, nxënësit duhet të mësojnë diku”. Ata u përpoqen ta frikësojnë, mirëpo ai ishte i papërfillshëm në kërkesat e tyre. Me qëllim që ta frikësojnë e ta gjunjëzojnë, e rrahin brutalisht para shtëpisë së tij, në praninë e nxënësve, arsimtarëve dhe anëtarëve të familjes. Më pas e urdhërojnë që të ngritet dhe ta vazhdojnë rrugën për në stacionon policor. Ata, me t’u nisur rrugës, duke e parë vendosmërinë e tij, që të pestit fillojnë ta godasin, për të dytën herë, derisa u përgjak e mbeti i palëvizshëm. E lanë të shtrirë për tokë, nën kërcënimin se ,,po që se t’i gjejmë nxënësit edhe herave tjera në shtëpi, do t’u likuidojmë juve me tërë familjen” . Zymeri menjëherë dërgohet në spitalin e Vushtrrisë dhe mjekët konstatojnë se ai kishte pësuar lëndime të rënda trupore ,,dëmtim të plotë të veshit të majtë” etj. Edhe pse i përjetoi të gjitha këto maltretime, nuk zbrapset aspak në idealin e tij të shenjtë që “shkolla shqipe të mbijetojë”. As ditët në vijim nuk ishin të lehta për të. Represioni ndaj tij nuk u ndal, jo vetëm në shtëpi, por edhe në rrugë, meqë policia disa here e kishin ndalë rrugës dhe e kishin maltretuar me të njejtin motivacion, pra tanimë Zymeri atyre u kishte bërë halë në sy. Kështu, për ta zbrapsur Zymerin nga shkolla shqipe dhe për ta mbyllur shtëpinë e tij shkollë, andej ia kishin mësyer jo vetëm policë të thjeshtë, por edhe kryepolicë, komandantë e kryeshefa të sigurimit shtetëror të Serbisë për qytetin e Vushtrrisë. Por, ai rezistoi me një vendosmëri të pashoqe duke thënë:,,Shkolla shqipe në shtëpinë time nuk do të mbyllet kurrë, deri në fund të këtij viti shkollor “.
Përgjakja në Ditën e Mësuesit
Ditët kalonin dhe gjendja e tij shëndetësore sa vinte e rëndohej. Më 7 mars 1995, kur nxënësit mezi prisnin ta festuar Ditën e Mësuesit, policia serbe për të njëzetën herë me radhë ndërhynë për t’i larguar nxënësit nga shtëpia e tij shkollë. Zymeri, si çdo herë, edhe kësaj radhe del në mbrojtje të nxënësve që po i rrahnin policët serbë. Policia serbe, me të parë Zymerin, i afrohen dhe fillojnë ta maltretojnë, duke e sharë, fyer , ofenduar e kërcnuar në mënyrën edhe më të paskrupullt. Ai u përballoi me qëndrimin e tij shumë të vendosur dhe të prerë:,,Ju me më rrahë, prapë mund të më rrihni, ju mund edhe të më vrisni, nga se i keni mundësitë, por shkolla shqipe në shtëpinë time nuk do të mbyllet kurrë’’. Ata largohen duke i thënë: ,, Hajt se do ta shohësh mjaft mirë se kush jemi ne”. Pasi policia serbe largohet, Zymerit filloi t’i keqësohej edhe më seriozisht gjendja shëndetësore, nga se maltretimet ndaj tij dhe sidomos dhunën policore ndaj nxënësve ai e përjetoi mjaft rëndë Menjëherë dërgohet në spitalin e Vushtrrisë, e prej andej në spitalin e Mitrivicës, ku menjëherë shtrihet në shok-dhomë. Aty qëndroi deri më 15. 03. 1995, kur edhe ndërron jetë. Vdekja e Zymerit i tronditi të gjithë. Ishte një humbje mjaft e madhe për familjen, arsimtarët, dhe mbi të gjitha për nxënësit që i deshti aq shumë dhe për të cilët dha maksimumin nga vetja. Vlen të ceket se edhe pas vdekjes së Zymerit, ndërhyrjet e policisë serbe në shtëpinë e tij nuk kanë pushuar. Ndërhyrje ka pasur edhe në kohën sa ishte duke u mbajtur e pamja e tij, mund të thuhet se kanë qenë rreth 10 -15 ndërhyrje në shtëpinë e tij edhe pas vdekjes së Zymerit, pra deri në fund të vitit shkollor. Por, pavarësisht prej tërë këtij represioni serb, shkolla shqipe në shtëpinë e tij kurrë nuk u mbyll, ngase familja e tij ishte e vendosur që amanetin e Zymerit ta çojë deri në fund.

 

Previous articleMagani: Me Kukësin vetëm për fitore
Next articleHistoria e Ishmit, trevë me jetë sa vetë njerëzimi