Home Rajoni Zjarri në traget! Vijon operacioni, ngrihen dyshime për shkaqet

Zjarri në traget! Vijon operacioni, ngrihen dyshime për shkaqet

Vazhdojnë edhe sot kërkimet për 12 të zhdukurit nga zjarri që shpërtheu ditën e djeshme në anijen “Euroferry Olympia” e cila ishte duke lundruar nga Igumenica drejt Brindisit të Italisë. Përpjekjet për shuarjen e zjarrit vazhduan gjatë gjithë natës nga zjarrfikësit, pjesë e ndihmës ishte edhe Shqipëria me dy anijet e saj.

Mediat greke kanë radhitur sot disa pyetje për këtë ngjarje të rëndë që lënë shumë vend për dyshime:

-A ka pasur shoferë apo pasagjerë që kanë mbetur në garazhe pas nisjes së anijes nga Igumenica? Rregullorja përkatëse thotë se shoferi apo pasagjeri është i ndaluar të jetë në garazhe pas nisjes.

-A kishte automjete me motor të ndezur gjatë udhëtimit? Është diçka që ndalohet edhe me rregulloren përkatëse.

-Gjithashtu do të hetohet nëse zjarri është shkaktuar apo jo nga një qark i shkurtër.

-A funksionuan sistemet e sigurisë nga zjarri? Në tragetet e makinave ka sisteme sigurie nga zjarri për të izoluar ambientet e anijes në rast zjarri, për të mos përhapur zjarrin nga një zonë në tjetrën dhe për pasojë në të gjitha zonat e anijes.

PAMJET MË POSHTË NGA OPERACIONI I SHPËTIMIT:

 

Roja bregdetare greke tha se 239 pasagjerë dhe 51 anëtarë të ekuipazhit kishin qenë në traget, në pronësi të firmës italiane Grimaldi Lines. Shumica e pasagjerëve ishin shtetas italianë, sipas guvernatorit të ishujve jonianë, Rodi Kratsa-Tsagaropoulou, ndërsa ekuipazhi ishte grek dhe italian.

Zjarri mendohet të ketë rënë në një nga kuvertat e makinave poshtë. Ekuipazhi fillimisht u përpoq ta shuante para se kapiteni të jepte urdhrin për të braktisur anijen rreth orës 04:20.