Zjarri i këtyre ditëve që përfshiu në tre orë një pallat 10-katësh, duke treguar të gjitha vështirësitë e ndërhyrjes së zjarrfikësve ngre dyshime mbi standartet e kullave që po ndërtohen në kryeqytet. Për ekspertët kushtet që duhet të plotësojnë pallatet dhe ndërtesat shumëkatëshe janë primare për sigurinë dhe efikasitetin në raste rreziku, por zbatueshmëria e tyre lë për të dëshiruar.
Në studion e emisionit “Përballje” në Report Tv, inxhinieri Gezim Beqaj tregoi problematikat e ndërtesave, mangësitë e tyre në pajisjen me materiale kundër zjarrit dhe me sisiteme të veçanta për shuarjen e flakëve.
“Në rastin konkret kemi të bëjmë me një material totalisht të djegshëm, por nuk dimë të themi nëse ky material ka qenë i parashikuar në projekt. Ka një klauzolë në normat ligjore, që në rast se mungon norma shqiptare duhet të referohemi te normat evropiane.
Në rastin konkret nëse është projektuar një fasadë e ventiluar, përcaktohet qartazi materialet të cilat do të përdoren. Në pallatin 10-katësh kanë qenë të dyja llojet e materialeve, edhe shkuma pjesa termike por edhe pjesa e fasadës që ishte e djegshme, ndërsa mungojnë edhe hidrantët e jashtëm.
Praktikisht aplikimi i materialeve të djegshme në fasadat bashkohore sot, është jo thjesht jo korrekt po shumë i rrezikshëm dhe është një defiçencë profesionale. Pra nuk është një incident por pasojë e asaj që kemi thënë që duhet të kemi parasysh standard ne shërbimet inxhinierike.
Çdo inxhinier dhe arkitekt që ushtron profesionin duhet të ketë minimumin e dijeve profesionale dhe ajo që është më e rëndësishme nga të gjitha është interesi publik, të informohet publiku për ndërtesat ku jetojnë”, tha Beqaj.