Home Letersi Zgjohu!…

Zgjohu!…

u1_VasoPapajPoemth nga Vaso Papaj

Zgjohu!..

Poet, zgjohu!
Flak telekomandën tej.
Mos shiko ç’ka prapa xhamit,
Hidh vështrimin gjithandej.
Ofendimin, vallë, e ndjen?
Askush më s’ të beson.
Sinqeritetin e ke tretur,
Ironinë me vulgaritet pudron.

Pse hesht, mos u dorëzo!
Mos u përkul kurrë,
Mos u shit, jo!
Po deshe të mbetesh në këmbë,
Po deshe të mbetesh njeri:
Eja poet,
Fjalën s’e çoj dëm.
Eja!
Nga një,
Dy të bëhemi, unë e ti.

Vjen i çngjyrosur në orën e kafesë,
Me gjysma të vërtetash nëpër xhepa.
Ndoshta je dhe i përtesës pjesë,
Përse gjithmonë rri larg nga e vërteta?
Më mungon më shumë se kurrë,
Ndaj të them:
Poet zgjohu, bëhu burrë!
Zgjohu!
Ndoshta princ, ndoshta hero,
Një ditë qofsh edhe shenjtor,
Veç jo kurrë një shërbëtor.

Ke një jetë, unë e pranoj.
Mos bëj plane, mos e ndot.
Mos hidh vargje kot më kot.
Në tokë këmbët mbaji fort.

Je poet, nuk je bankier.
Atë vargun me mjerim,
Pa më thuaj, pse e fshin?!
Nuk është numër në defter.
Është një diell që flakërin.
Mos rri vetëm si gjithmonë,
Ke dëshirë një gotë të pimë?
Hiq vetminë, që mos kesh frikë.
Vetmia të sjell rrezik.

Të betohem, nuk gabohem.
Kanë aromë poetët shumë,
Nga larg i dalloj.
Këtu më ke, shikoj:
Dhe i mbathur dhe i zbathur,
I krehur dhe i pakrehur…
Unë për vete jam një mbret.
Eja!
Dhe nëse dikush të nget.
Dua të mbetesh njeri!
Merre me shuplaka këtë botë xanxare,
Ndryshe do të tretesh nëpër rreshta,
I fundit fare.

Nga të shkosh e nga të sillesh,
I besojnë dhimbjet e tua.
Ndaj dhe ti besoja shpirtin,
Poet, zgjohu, ndiqmë mua!
Të vërtetën, të sinqertën,
Jepua bijve si dhuratë.
Thelbi i qenies tënde, mik,
Kurrë mos pritet me sëpatë…

Pyete hënën, pyete diellin

Pyete hënën ku të më gjesh,
Pyete!
Do të të thotë, te sytë e tu.
Aty do më kesh.
Pyete hënën ku të më gjesh,
Pyete!
Do të të thotë, shtigjeve të trupit tënd.
Me ty, të udhëtosh, të flesh.
Pyete hënën ku të më gjesh,
Pyete!
Do të të thotë, ngatërruar flokëve të tu,
Ndaj mos rri sehirxhesh.
Pyete, pyete!…
Do të të thotë…

Por…Hëna kukafshehthi shkoi
Dhe dielli flakëroi mes reshë.
Ja, pyete diellin,
Pyete ku të më gjesh!…
Do të të thotë: Është tek ti.
Dhe ti qesh, qesh, qesh…

Shko!…

Shko!…
Tek ata që ëndrra për t’i kapur të mundon,
Tek gjithë ata që has në jetë dhe i preferon,
Tek gjërat që me lehtësi i kap e s’i lëshon.

Shko!…
Zër aty problemet lehtë të komanduar,
Të njohur, të vegjël, të thjeshtë, të zbukuruar.
Aty, ku nuk kërkohet energji për të shpenzuar.

E atëher’ do të më kujtosh,
Atëher’ kur shtrëngatat do të të godasin,
Kur orët e vështira pafund për ty do të zgjasin,
Kur para vetes do jenë ngritur male, do buçasin.

E do të më gjykosh,
Aty ku përsëri hapat e tua do ndalojnë,
Aty ku shumë të tjerë më tutje nuk guxojnë
Dhe mbeten prapa, larg dhe kurrë s’afrojnë.

Shko!…
Drejt heshtjes së gënjeshtërt, asaj që preferon,
Asaj që mban atë pak gjë së cilës i beson:
Dashurisë së kollajtë që ti me ngulm po e kërkon.

E përsëri do të më kërkosh,
Kur do të marrë flakë i tërë shpirti yt,
Kur do të shteren të gjitha forcat mu në grykë
E kur nuk do të gjesh kurrë një përqafim të dytë.
Atëher’ përsëri e përsëri do të më kërkosh,
Kur do të luhet jeta jote, për jetë a vdekje
E kur të huaj do bëheshin të tutë, në çdo përndjekje,
E vogël do të ishe ti mes hiçit, e kurrë lirinë s’do t’prekje.

Jam si dikur

Çdo ditë më shpesh kujtoj përrallën time,
E çfarëdolloji qoftë, nuk reshtem t’a tregoj.
Vishem me ëndrra dhe kështu i ngjaj një fëmije,
Që krijon iluzione sikur po loz me heronj.

Ca shkrepëtima brenda meje më ngasin zgjimin,
Po dhe pse ndërroj fytyrë, prapë mbetem po ai.
Jam po ai që vjen përherë të më kërkosh harrimin,
Por poezi të tillë s’të shes, jam mbi çdo gjë zotëri.

Përtej kësaj maske, ti e di, jam unë, i vërteti,
Me gëzime, hidhërime dhe probleme boll.
Trukohem.., fundja ky i jetës sime është sekreti.
Mos u habit, jam si dikur, djalosh, atje në shkollë…

Me “gjest” e transformoj një realitet të stisur.
Mjaftojnë ca yje letre, ndrin qielli skaj më skaj.
Mos poezia ime rreket të shpikë krijesë të stolisur,
Që të mund t’a harroj botën me çmenduritë e saj?

Gjithçka jashtë teje mbetet ngrirë, s’lëviz.
E ti vazhdon: qan, qesh, këndon njëlloj si unë.
Në vogëlushe kthehesh dhe loti të bën vizë,
Vragën e tij më le tek jaka mbi kostum.

Prapa kësaj maske, mësoje, jam unë në mes.
Ç’kërkoj e ç’dua nga jeta ime, e di vetëm Zoti(?!…)
Çdo herë që do të lind, çdo herë dhe që do vdes,
Do them këtë përrallën time, mësuar prej qëmoti.

Lëmsh

Lëmsh – kurrë problemet tona nuk do t’treten.
Ngjajnë ndryshe me të botës e në vend mbeten.
Lëmsh o lëmsh, po e humbim të tërë fillin.
Lëmsh u bëka, po e deshëm shumë 1 prillin!

Lëmsh – po të jetë për ne, pafund kemi gabime
E nga këto, jo pak, kemi pasur dhe pësime.
Lëmsh – na bënë dhe helmet që na zunë ndër vite.
Lëmsh – në errësirë, lëmsh në rreze drite.

Lëmsh – më godasin dhe shpesh vetëm ndjehem,
Edhe kur gabimet e të tjerëve, veç tek unë vërehen.
Lëmsh, lëmsh, tërë jetën fshijnë rrugët ëndrrat e mia.
Lëmsh – vetëm një çast gëzime, kur të zë dalldia.
Lëmsh – si përherë, kudo gënjeshtra shesim.
Shajmë, na shajnë e pafund prapë në vend mbesim.
Lëmsh – jemi bërë të na zënë me vezë, me domate.
Lëmsh – thjesht, se gënjeshtrës ia besuam tona fate.

Lëmsh, lëmsh është dita që kam humbur.
Lëmsh është edhe nata, që mezi m’është shkulur.
Vetëm jeta me ty, s’bëhet lëmsh, është tjetër histori.
Këtij lëmshi ia ke gjetur fillin: ke derdhur dashuri.

Dje… dhe sot
Shija e jetes dje, brenda vetes më digjej.
Isha i ri, e ndjeja, më ngrohte e saja flakë.
Por për t’u fikur kurrë s’qëlloi të fikej,
Se shtati i saj i drojtur më dridhej sado pak.

E nuk jetova ëndrra që më diktonte zemra.
S’pata as kështjella siç kishin të tjerë plot.
Mbeta ëndrrimtar që s’ndërroi emra – mbiemra,
Që netëve pambarim kërkonte diell më kot.

Përbrenda vetes dje veç poezi gëlonte,
Dhe vetëm kjo më jepte krahë për fluturim.
Por krahët donin ajër dhe ajri më mungonte.
S’më mbetej veç t’i bëja respekt mendimit tim.

E s’i kërkova atyre që më vinin rrotull:
“Kuptim i jetës ç’ish edhe sekreti i saj!?”
Sy mbyllur s’i besoja: as të vërtetë as broçkull,
Si t’isha në mes të botës dhe jo atje në skaj.

Dhe sot…
Dritë e agimit më sjell ëndrra të marra,
Se forcë e moshës m’i mbushi ditët plot.
Kur shoh boshllëk, gjithnjë kam parë përpara,
Më ngjan ëndrra përherë si një furtunë në gotë.
Unë lodra dashurie kam lozur qindra – mijëra,
E krenarinë ndërkohë e kam virtytin – zot.
Ndaj bashkë me shokë në sa e sa stuhira,
Duam virtyt ta ngrohim këtë botën tonë të ftohtë.

Agustin

Agustin!
Katër mure, mik me hiçin, në një odë me lagështinë,
Bora hesht, bora rëndon, mbi pullaz zgërlaq çatinë.
Nga poshtë dheu e rrëmben, po e çon nëpër rrëpinë,
Agustin.

Agustin!
Një e çarë aty në mur, nga lart poshtë si zhgarravinë,
Muri pis, si dërrasë e zezë dhe ti vetëm psherëtin,
Por mbi kryq Krisht i gozhduar sikur të largon vetminë,
Agustin.

Agustin!
Sonte ma rrëmbeve gjumin, ma afrove Perëndinë,
Që kur the me sy të shuar: e lashë shkollën, malet nxinë,
Qiellin e kapa me duar, gozhdët duke i kërkuar, shpalla zinë,
Agustin.

Agustin!
Pse në fshat rri i gozhduar, je bërë Krisht në Dukagjin.
Nga kush fort je i ngujuar,librat kush t’i ka larguar,dashurinë?
Veç trumcakë sot cicërijnë, ngrirë e tharë përmbi qershinë,
Agustin.

Agustin!
Në folè, në atë shpat mali, qen i vetëm, i harruar, angullin.
Çantën sheh me sytë e shkruar,në gozhdë varur,Krishti fqinjë.
Gozhdë që kurrë nuk u mbaruan, duar shpuan, zemra ngrinë,
Agustin.

Baladë për ata
(poemth)

Vashëza si Bora në fshat i quajnë dritë
E sa herë që shfaqej, dukej më krenare.
Ndonëse shikimi i bukur diçka humbte për ditë,
Si dielli brenda kullës, që tretej ndër kamare.

Rastiste, mbyllte sytë e dukej yll mbi fshatin,
Kur djemve pranë u shkonte, u sillte veç rënkim.
Por yjet bridhnin qiellin, sikur kërkonin fatin,
Ndaj dhe ajo ëndërronte të niste fluturim.

Me djemtë, aty te klubi, shalëgjatë ishte veç Visi.
Mbante këpucë të rrjepura, atlete Caritas.
I hollë – i hollë, por kockë, ngjante tamam si lisi,
Që në oborr, te gardhi kish pritur çdo tallaz.
Kish nënën, motra, shtëpi me halle mbante.
Për punë vetëm ca dele burgosur në haur.
Sa herë që mbyllte sytë, një ujk dimëror e hante.
Përpiqej t’i ngjasonte por s’i ngjasonte kurrë.

Se ujku i pangopur mes borës ulërinte.
Po dhe ai si ujku bridhte. Kopeja s’të bën bos.
Ndaj donte edhe Ai të çante dhenë, të ikte,
Por Bora sa e shihte, në vesh i thoshte: “Mos!”

Dhe zbriste ngadalë nata, si kungull hëna varur,
Mbi pjergullën e zhveshur, e vetme zbeht ndriçon.
Ca yje ngatërruar në degë të lisit kapur,
Të rinjtë i numërojnë, por s’shkojnë gjer një milion.

Se vite, shkollë e tyre në harrim kish fjetur,
Përherë kish sjellë përroi gëzim dhe hidhërim,
Por zjarri i dashurisë që ather’ u kishte mbetur,
Sa donin të shtrëngoheshin një ditë në një vallëzim!

Dhe ja ku erdhi: Anërruge, një fuoristradë e vjetër.
E zuri Visi Borën prej dore në vrapim.
I hipën kësaj gërdalle, s’do t’kishin një rast tjetër,
E plumb për në qytet, një provë, ca orë dëfrim.

Ajo, tundu e shkundu, muzikë, drita, si flutur,
Ai, me këmbën pesëdhjetë rrotull i vjen si kalë.
Në krahë të njëri tjetrit, e para herë të humbur,
I tillë vallëzim kish kohë s’ish parë në atë lokal.

“Më thuaj, Borë, ku jemi, po fluturojmë me yje?”
Ndërsa vallëzojnë, ky Visi e ngre Borën përpjetë.
“Borë, mos po bëjmë lojë? Big Brother na ka hije?…
Kur dolën, ish bërë natë dhe rruga flinte e qetë.

Si plumbi për në fshat, grusht yjesh mbi trasetë.
Një hënë që shket mbi pyje, që vdes përmbi qytet.
Një kthesë, një qen që qan, hëna fshehur tek retë,
Hesht murmurimë e përroit që as me vete s’flet.

Ngjante me yjet Bora, ndaj i gjëmonte fatit.
Visi shikonte larg, të bëhej ujk i ngopur, bos.
Nuk di nëse prej dore i panë t’ia jepnin vrapit,
Por s’kam të tjera, miq, çdo fjalë në grykë m’u sos.

 

 

Previous article
Next articleVolejboll Meshkuj, Federata përçmon Teutën, i jep titullin në tavolinë Studentit