Home Editorial Zgjedhjet, përse dreqin jo si festë, por si betejë?

Zgjedhjet, përse dreqin jo si festë, por si betejë?

1347108234-bashkim_hoxhaNga Bashkim Hoxha / Mjafton retorika e kësaj situate pragzgjedhore për të kuptuar se ende jemi në paradhomën e demokracisë. Kryetari i maxhorancës flet për shesh beteja, për burra që dalin në mejdan për t’u përballur, flitet për armiq jo për kundërshtarë politikë, sillen skena bajlozash nga nënshtresa kulturore e kohëve të shkuara, kudo në ajër qëndron varur një atmosferë e ndezur luftarake me ngjyra kontrastuese folklorike në një mjedis që në të vërtetë nuk është aq folklorik sa vetë politika. Duket sikur jemi në vazhdimin e ndonjë rapsodie të lënë përgjysëm në mesjetën e hershme. Termat e luftës janë ngado. Ndeshja e madhe ka pushtuar hapësirat që qytetari do donte t’i kishte të qeta për të menduar se për cilin do të votonte, por askush nuk e ka luksin e qetësisë në një luftë të ankthshme. Kryetari i opozitës, gjithashtu flet për front. Termat e frontit, përmbysje, rrënim, e të tjera si këto vijnë nga të katër anët e propagandës që e zhurmon ditën e qytetarëve duke filluar nga mëngjesi në klubin e lagjes e deri në mbrëmje në diskutimet familjare. Nga të gjitha anët gjëmojnë buritë e luftës, të një lufte që përpiqet të mobilizojë palët. Ka një strategji të qartë të palëve që luajnë në këtë terren të nderur pasionesh luftarake. Jemi në fazën kur të gjitha palët përpiqen të krijojnë tifozerinë e tyre dhe sa më e ndezur të jetë lufta, aq edhe më të përcaktuara janë palët. Prej kohësh ne jemi mësuar që në prag të zgjedhjeve të jetojmë në një atmosferë të tillë me terma lufte dhe t’i përjetojmë zgjedhjet me ankthin e një lufte, që ndoshta sjell më shumë vota për palët respektive, por që në të vërtetë e mpak dhe e tkurr jetën e qytetarit. Ka kohë që kemi filluar ta ndjejmë edhe në jetën e përditshme këtë luftë që po vjen. Njerëzit e thjeshtë bëjnë planet se çfarë do të ndodhë me të afërmit e tyre që kanë qënë fatlumë të gjejnë ndonjë punë në administratë pas rezultatit të paparashikuar të zgjedhjeve, biznesmenët vijnë vërdallë duke bërë pakte me fitimtarët që për ta mund të jenë nga të dyja palët, fëmijët pyesin prindërit se çfarë do të ndodhi këto ditë deri më 23 qershor dhe ata që kanë lindur në ’97 e që tani janë adoleshentë përpiqen të sjellin ndër mend situata që prindërit ua kanë kujtuar si një të kaluar të shkuar. Sidoqoftë, qetësia e përditshme është prishur dhe në se do të thuhej se prishja vjen nga zgjedhjet, situata bëhet edhe më dhimbshme dhe e trishtuar. Sepse në botën e qytetëruar, zgjedhjet janë festë e demokracisë dhe jo ankth luftarak i betejave flakëritëse. Në të vërtetë ne qytetarët e thjeshtë përballemi me ankthet e të dy palëve që problemet e tyre dinë fare mirë të na i përcjellin ne qytetarëve. Nga njëra anë është ankthi i pushtetarëve që kanë ndërtuar mirëqënien e tyre përmes pushtetit dhe e kanë të vështirë ta lënë atë. Për ta e nesërmja është një ankth se çfarë do të ndodhë me ta në se në vendimarrje do të jenë disa pushtetarë të tjerë që i shohin si armiq. Nga ana tjetër është ankthi i opiztarëve që prej tetë vjetësh kanë qënë të lënë jashtë listave të përfitimeve, ankthi i të uriturve që vijnë të marrin llokmat e munguara. Të dy këto ankthe nuk kanë të bëjnë aspak me ne qytetarët, nuk do të na e përmirësojnë aspak jetën, por politikanët tanë në këto vite të tranzicionit kanë mësuar shumë mirë një gjë: se si ankthet e tyre të na i përcjellin ne qytetarëve. Dhe ne gjithashtu kemi bërë të përulur atë që ata kanë dashur: kemi përvetësuar ankthet e tyre sikur këto të kishin të bënin me fatin tonë. Në të vërtetë, jeta na ka mësuar në këto vite të tranzicionit se xhaketat janë thyer mbrapsht disa herë aq sa u ka dalë boja. Askush nga partitë e vjetra nuk e ka pasur mendjen tek ne. Edhe në këto zgjedhje ato duan që ne të mbetemi tifozë të luftës së tyre, sepse u duhen votat tona. Madje më shumë se tifozë, ata ëndërrojnë që ne të jemi rapsodë të përleshjeve titanike primitive që na servirin në mënyrën më të ashpër. Dhe të mendosh që ashpërsinë e këtyre rrethanave e bën akoma edhe më primitive gjuha vulgare e figurave qëndrore të politikës. Në këto prag zedhjesh, shumë të ashpra, flitet jo vetëm për luftë, por edhe për shkuarje për lesh. Luftë leshi nga politikanë leshi dhe nga tifozë leshi që biem në kurthin e tyre, në këtë lesh demokraci të pretenduar. Kjo është dëshmija më e mirë se jemi ende në tranzicion që do të zgjësë edhe më tej. Kam përshtypjen se vetëm tek ne, ose në vende të ngjashme me ne zgjedhjet vijnë me buritë e luftës. Kur të vijë demokracia, edhe ne do t’i presim zgjedhjet si ditë feste. Sepse të mënçurit thonë se zgjedhet janë festa e demokracisë. Tek ne fatkeqësisht vazhdojnë të konsiderohen si luftë, madje si luftë e ndezur.