Home Bota Zgjedhjet paraprake në SHBA, tregues të rëndësishëm për fushatat elektorale në të...

Zgjedhjet paraprake në SHBA, tregues të rëndësishëm për fushatat elektorale në të ardhmen

Ish-Presidenti Donald Trump mori një fitore të rëndësishme në Karolinën e Jugut, ku kandidati i tij i preferuar fitoi me lehtësi përballë Ligjvënësit Tom Rice, i cili bëhet kështu republikani i parë që humbet postin, pasi votoi në favor të ngritjes së akuzave për shkarkimin e ish-presidentit vitin e kaluar. Megjithatë, një tjetër zyrtare republikane që është vënë në epiqendër të sulmeve nga ish-Presidenti Trump në këtë shtet, Ligjvënësja Nancy Mace, arriti të triumfojë përballë rivales së saj.

Ndërkaq në Nevada, i përzgjedhuri i ish-Presidentit Trump, Adam Laxalt, fitoi zgjedhjet paraprake për në Senat, duke mundur një kandidat populist që do të shërbente ndoshta më qartazi si përfaqësues i mbështetësve të ish-Presidentit Trump.

Le t’i hedhim në vazhdim një vështrim më të hollësishëm rezultateve nga raundi i parë i zgjedhjeve paraprake.

Verdikt i ndarë në Karolinën e Jugut

Ligjvënësit Rice dhe Mace janë bërë objekt i zemërimit të ish-Presidentit Trump, që kur turma me mbështetësit e tij hyri me forcë në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara për të ndalur çertifikimin e fitores së demokratit Joe Biden.

Cili ishte gabimi i tyre? Ligjvënësja Mace deklaroi në një televizion kombëtar se me sulmin ndaj Kapitolit “u fshi e gjithë trashëgimia” e ish-Presidentit Trump, dhe Ligjëvënësi Rice iu bashkua një grupi të vogël republikanësh që votuan së bashku me demokratët në favor të një hetimi të dytë për ngritje akuzash për shkarkimin e zotit Trump.

“Ai pati një shpërthim emocional që kulmoi me përdhosjen e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara”, i tha Ligjvënësi Rice kanalit NBC ditën e hënë. “Është një sulm i drejtpërdrejt ndaj Kushtetutës, dhe ai duhet të mbajë përgjegjësi”.

Votuesit dhanë përfundimisht gjykime të ndryshme për ligjvënësit, duke reflektuar kështu një ndasi në radhët e Partisë Republikane për mënyrën se si duhet të veprohet në të ardhmen e pas epokës Trump. Zona elektorale kryesisht rurale e zotit Rice mishëron “Amerikën e Trump-it”, ku të kundërshtosh ish-presidentin mbart kosto të madhe. Edhe ndërsa i sulmonte të dy ligjvënësit, ish-Presidenti Trump zgjodhi ta zhvillonte tubimin në zonën e zotit Rice.

Kjo për shkak se zona e zonjës Mace, me epiqendër qytetin Charleston, përbëhet nga shumë votues të moderuar që iu larguan Partisë Republikane nën drejtimin e zotit Trump. Është një nga zonat e pakta elektorale të ndodhura në shtete përgjithësisht republikane, ku demokratët kanë arritur të bëjnë një konkurrim modest gjatë garave për në Kongres.