Home Politike Zgjedhjet e 6 marsit, KQZ: Votimi dhe numërimi elektronik vetëm në bashkinë...

Zgjedhjet e 6 marsit, KQZ: Votimi dhe numërimi elektronik vetëm në bashkinë e Vorës

Në mbledhjen e sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar projektvendimin për zbatimin e projektit pilot për procesin e votimit dhe numërimit elektronik të votave në zgjedhjet vendore të 6 marsit vetëm në Bashkinë e Vorës.

Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi tha se u ra dakord që votimi dhe numërimi elektronik do të zbatohet vetëm në këtë bashki.

“Caktimi i bashkisë Vorë ku do të zbatohet projekti pilot i votimit dhe numërimit elektronik të votave. Projekti pilot i votimit dhe numërimit të votave u zbatua për herë të parë në 25 prill në ZAZ numër  40 qarku Tiranë. E njëjta procedura do zbatohet në bashkinë Vorë të qarkut Tiranë për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki me 6 mars”, u tha në mbledhje.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve ka regjistruar si garues në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit koalicionin Shtëpia e Lirisë me vetëm 2 nga 3 pjesëtarët që e kërkuan atë. Ai vendosi që koalicioni përbëhet nga LSI dhe PDK, por nuk përfshiu në të edhe Komisionin e Rithemelimit të PD me përkrahësit e  Sali Berishës.

Në zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 marsit për bashkitë Shkodër, Durrës, Dibër, Vorë, Lushnje dhe Rrogozhinë, kanë kërkuar të marrin pjesë 11 parti politike.