Home Politike Zgjedhjet e 25 prillit, Ermonela Felaj për Tiranën: Puna ime e lidhur...

Zgjedhjet e 25 prillit, Ermonela Felaj për Tiranën: Puna ime e lidhur me socialistët kudo ata qofshin

Deputetja e PS, Ermonela Felaj, e cila është përcaktuar e 13-a në listën e PS për qarkun e Tiranës, për zgjedhjet e 25 prillit, shprehet se puna e saj do të jetë e lidhur me socialistët kudo ata qofshin.

“Nga sot vrapoj drejt një sfide të re, kandidate për deputete e Partisë Socialiste në qarkun Tiranë, nr. 13. Ndihem e nderuar të jem në Tiranë për betejën tonë të 25 prillit, dhe disafish e plotësuar me miq, shokë, bashkëpunëtorë, dashamirës, burra dhe gra në gjithë Shqipërinë, vajza dhe djem, prindër, nëna dhe gjyshër dhe kjo falë rrugëtimit tim në PS që prej vitit 2009 kur ishim në opozitë”, theksoi Felaj në një reagim pas daljes së listës së kandidatëve.

“Ishte nder që për gjithë këtë kohë të përfaqësoja qarkun Berat në tre mandate rresht dhe sigurisht emocion dhe kënaqësi, të fituarit e çdo beteje elektorale, qendrore apo lokale”, shton ajo.

“Nga sot ndryshoj zonë, por jo njerëz sepse puna ime është dhe do jetë e lidhur me socialistët kudo ata qofshin, dhe socialistët janë po ata, kudo që të shkelësh, nga veriu në jug, raca e njerëzve thjesht të mirë”, shprehet Felaj.

“Kjo ka qenë përgjigjja ime pse iu bashkova Partisë Socialiste në vitin 2009 dhe kjo është përgjigjja ime dhe sot, kur ia kemi mbërritur që në vetëm 8 vite, të lëmë gjurmë të thella shndërrimi qeverisës dhe sërish kemi dëshirën, ndjejmë përgjegjësi si askush tjetër, ndaj vendit dhe shqiptarëve të zakonshëm për të shkuar përpara, drejt të ardhmes më të mirë”, nënvizon ajo.

“Asgjë nuk fitohet vetiu edhe aty ku mendohet më lehtë. Të qenit e zgjedhur për 12 vjet e Kuçovës, Kuçovës masovike siç thotë një mik i imi i Facebook, për mua ishte një shkollë; si është një socialist i vërtetë, çfarë pret nga ne një socialist, si fitohet zemra e socialistëve dhe sa i çmuar është besimi i tyre”, thekson ajo.

“Këtë herë miqtë e mi socialistë të Kuçovës, Beratit, Policanit, Çorovodës e Urës Vajgurore, sfida ime e punës do jetë në kryeqytetin tonë, për partinë tonë, por mbi të gjitha për vendin dhe gjithë shqiptarët dhe sigurisht ajo do mbajë brenda dhe pa asnjë dyshim, shumëçka nga forca juaj, nga besimi juaj, nga cdo komunitet i ngjashëm që jeton në Tiranë! Jemi një dhe të gjithë bashkë në rrugën për 25 prill, për fitoren e PS”, shkruan Felaj në rrjetet sociale.

SOURCEBulevard News
Previous articlePërshpejtohet procesi i vaksinimit në Gjermani – “Por objektivi për të arritur 25% të popullsisë është jo realist”
Next articleRama rikujton fotot nudo dhe bën komentin epik për Salianjin: Na turpëroi si kategori!