Home Bota Zelensky bisedë me Macron-in për centralin bërthamor në duart e Rusisë, apel...

Zelensky bisedë me Macron-in për centralin bërthamor në duart e Rusisë, apel për shtim të sanksioneve

Disa orë pasi presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky u bëri thirrje liderëve botërorë që të vendosin më shumë sanksione ndaj Rusisë për të detyruar trupat që të largohen nga termocentrali bërthamor i Zaporizhzhia, ai e diskutoi çështjen me presidentin francez Emmanuel Macron.

Bisedën e bëri të ditur në Twitter Zelensky, ku tha se kanë diskutuar mbi centralin bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është në duart e rusëve pavarësisht se teknikët janë ende ukrainas.

Zelensky tha se ai falënderoi Macron-in për “ndihmën e prekshme për mbrojtje” dhe përsëriti thirrjen e tij për të shtuar sanksionet ndaj Rusisë.

“Vazhdimi i dialogut me Presidentin Emmanuel Macron. E informova për situatën në front, terrorizmin bërthamor të Rusisë në ZNPP. Faleminderit për ndihmën e prekshme të Francës për mbrojtje. Diskutuam mbi ndihmën makro-financiare dhe sfidat e sigurisë ushqimore. Ne duhet të shtojmë sanksionet ndaj Rusisë”, shkroi Zelensky.

Si Ukraina ashtu edhe Rusia kanë akuzuar njëra-tjetrën për granatime rreth centralit bërthamor të Zaporizhzhia, i cili është më i madhi në Evropë. Centrali bërthamor i Zaporizhzhias kontrollohet nga rusët që prej nisjes së luftimeve, por operohet ende nga teknikë ukrainas.