Ambasadorja amerikane Yuri Kim shprehet se Shqipëria ka reputacion të keq sa i përket krimit të organizuar. Në intervistën e saj për “Opinion”, thotë se udhëheqësit shqiptarë duhet të zgjedhin tani kush e ka në dorë këtë vend, njerëzit e zakonshëm apo kriminelët.
Blendi Fevziu: Le t’i kthehemi pastrimit të parave dhe kriminelëve. Ne kemi probleme së fundmi me krimin e organizuar në Shqipëri, me bandat jashtë vendit. Po punojmë në Mbretërinë e Bashkuar, Holandë, Belgjikë, dhe po sjellim këtu problemet e tyre, të gjitha paratë e tyre, por gjithashtu edhe problemet që ata kanë mes tyre. Problemi është, a mendoni se Shqipëria po bëhet një vend shumë problematik në lidhje me krimin e organizuar? Sipas informacionit tuaj?
Ambasadorja Kim: Mendoj se Shqipëria ka një reputacion të keq. Mendoj se këndvështrimi i Shteteve të Bashkuara në lidhje me korrupsionin dhe krimin e organizuar në Shqipëri është i njohur. Ato shprehen në raporte të ndryshme që nxjerrim çdo vit. Dhe, fatkeqësisht, ato pasqyrohen gjithashtu edhe në faktin që Shqipëria është në listën gri të Task Forcës për Veprim Financiar. Ky është institucioni evropian i cili shqyrton praktikat financiare në mbarë botën. Dhe ata përdorin terma si mungesë strategjie për të përshkruar mekanizmat e Shqipërisë kundër pastrimit të parave.
Prandaj është shumë e rëndësishme. E di, në fillim të intervistës sonë, unë fola mbi zgjedhjen që duhet të bënte Shqipëria, për zgjedhjen që duhet të bënin udhëheqësit shqiptarë. Duhet ta bëni këtë zgjedhje tani. Duhet të zgjidhni kush e ka në dorë këtë vend. Do ta kenë njerëzit e zakonshëm? Do ta kenë kriminelët? Kush do të ketë në pronësi tokën tuaj, të gjithë ato hotele dhe kush do të marrë përfitimet?
Blendi Fevziu: Ato gradaçela në fakt, askush nuk e di se nga vijnë paratë për to…
Ambasadorja Kim: Pikërisht… Duhet të jesh në gjendje të shpjegosh të gjitha këto dhe duhet të marrësh hapa të vërtetë për të parandaluar pastrimin e parave. E di që ka pasur shumë diskutime mbi amnistinë fiskale…