Home Sport Xhafaj: Në kampionat jemi brenda objektivave

Xhafaj: Në kampionat jemi brenda objektivave

XhafajPikërisht ky është qyteti që i rezervon gjithmonë një vend lideri, ndërsa Teutës i nevojiten më shumë gola. Pasi është endur në skuadra të ndryshme dhe në përgjithësi ka lënë shenjë, nuk kishte se si të mos ndalonte edhe një herë në stacionin e Durrësit, aty ku u bë i suksesshëm, me një prepotencë të paparë. Tani askush nuk e di me siguri, nëse i duhet thënë Xhafaj i Vlorës, apo Danieli i Durrësit, pasi futbolli duket se i ka ndërruar edhe dialektin.
– Pas përfundimit të fazës së parë, skuadra është renditur e dyta, gjë që do të thotë se keni bërë një gjysmë edicioni të pranueshëm. Cili është komenti juaj?
– Jemi brenda objektivave dhe nuk ka arsye pse të mos ndjehemi të kënaqur. Kemi kaluar edhe momente të vështira, por në përgjithësi kemi reaguar mjaft mirë. Përveç ndeshjeve të Kupës, ku nuk kemi arritur rezultate pozitive, gjithçka tjetër ka shkuar mirë
– Në të vërtetë ndeshjet e Kupës ishin katastrofë…
– Po, është e vërtetë, ishin shumë zhgënjyese. Pretendonim të shkonim të paktën deri në katërshe. Zhvilluam tri ndeshje shumë të dobëta, të cilat i humbëm rrjedhimisht. Duhet të triumfonim të paktën në sfidën e fundit në Ballsh, pasi tri pikët do na mbanin ende në lojë. Megjithatë, kjo tashmë i përket së shkuarës. Ajo çka duhet të bëjmë tani është një fazë përgatitore e mirë, në mënyrë që të paraqitemi si duhet në startin e kampionatit. Tifozëria është e pakënaqur nga ne për eliminimin para kohe nga Kupa e Shqipërisë dhe për këtë kanë shumë të drejtë. Është e vërtetë që në kupë nuk kemi bërë një paraqitje të mirë, por unë u premtoj të gjithë durrsakëve se në fund të sezonit do të arrijmë sukses të paktën në kampionat.
-Si e parashikoni vazhdimin e kampionatit?
-Përpara kemi një rrugë shumë të gjatë për të përshkruar, ku do të kemi momente të mirë e të këqija, sikundër kemi pasur edhe gjatë fazës së parë. Sigurisht, kemi shanse për titull sepse në futboll ka të papritura. Mjafton që Skënderbeu të hedhë dy hapa të gabuar dhe gjithçka është e hapur. Ndaj nuk mund të themi se titullin e ka fituar Skënderbeu. Sigurisht, korçarët janë favoritë për ta fituar ngaqë janë më pranë, duke qenë të shkëputur 10 pikë larg nesh, por nuk duhet harruar se është pa u luajtur edhe gjysma e kampionatit. Unë mendoj se kemi mundësi rikuperimi. Faza e dytë e kampionatit do të jetë vërtet interesante, pasi parashikohet një betejë mjaft e ashpër mes skuadrave.Teuta kërkon t’i përqendrojë përforcimet e saj në dy reparte, ndërsa kryesisht janë në kërkim të një qendërmbrojtësi, për të fuqizuar dhe më shumë skuadrën në lojën mbrojtëse. Po reparti ku një përforcim konisderohet si mjaft i nevojshëm është sulmi, gjë që do t’i jepte më shumë liri Daniel Xhafajt. Ndonëse në ditët e fundit të vitit të kaluar u përfol shumë për një largim të trajnerit Begeja, kjo lëvizje nuk ka ndodhur, ndërsa ai ka marrë besimin e drejtuesve të skuadrës deri në fund të sezonit. Trajneri është i kënaqur për besimin që i është dhënë, teksa shpreson të bëjë realitet objektivin për të dërguar skuadrën bregdetare dhe këtë sezon në Kupat e Europës. Në kampin durrsak janë të qetë dhe të sigurt se do të kenë një ecuri pozitive, ndërsa lojtarët premtojnë se skuadra do të kthehet më e fortë se ajo e fazës së parë. Ekipi thuajse ka qenë i plotë, përveç brazilianit Da Silva, i cili u largua drejt vendit të tij për festat e fundvitit. Ndërkaq, pritet që ditët e ardhshme grupi të shtohet ndjeshëm, për shkak të lojtarëve që do të provohen te Teuta.

Previous articleNë kërkim të një dielli tjetër
Next articleÇfarë humbëm dhe çfarë fituam në këta 22 vjet ?