Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell deklaron se Serbia nuk i është bashkuar BE-së për të vendosur sanksione ndaj Rusisë. Sipas Borrell, Vuçiç nuk ka arritur të bëhet një linjë me vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian (BE) për zgjatjen e masave kufizuese në lidhje me veprimet që cënojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, shkruajnë mediat serbe.
Ai tha se Këshilli i BE-së ka miratuar më 13 mars 2023 Vendimin e Këshillit (CFSP) 2023/5721 që zgjat deri më 15 shtator 2023 masat kufizuese për 171 individë dhe 65 subjekte. Vendet kandidate për në BE, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Shqipëria, Ukraina dhe Bosnja e Hercegovina, si dhe vendet e EFTA-s, Islanda, Lihtenshtajni dhe Norvegjia, anëtare të Zonës Ekonomike Evropiane u rreshtuan me këtë vendim të Këshillit.
“Ata do të sigurojnë që politikat e tyre kombëtare të jenë në përputhje me këtë Vendim të Këshillit. Bashkimi Evropian e merr parasysh këtë angazhim dhe e mirëpret atë”, tha Borrell.
Edhe pse një vend kandidat për në BE, Serbia nuk është bashkuar me asnjë nga vendimet e Këshillit të BE-së për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë, për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës.