Home Sport Volejboll Meshkuj/Teuta fiton finale e parë

Volejboll Meshkuj/Teuta fiton finale e parë

Teuta-volejbollTEUTA-STUDENTI 3-2 (1-0) (26-24, 24-26, 22-25, 25-18, 16-14)
TEUTA: J. Dashi, A. Dashi, Bardhi, Medenica, Renovica, Myftari, Rreshka, Vora, Liti, Moku.
Trajner: H. Nakovski
STUDENTI: Tukseferi, Prëziç, Kasa, Rrashketa, Dragoi, Zolota, Gorenca, Rama, Çali. Trajner: Y. Tomorri
GJYQTARË: E. Mujo, R. OmariNë takimin mes Teutës dhe Studentit në finalen e parë për meshkuj triumfuan vendësit. Durrsakët edhe pse luajtën dy sete pa një ndër lojtarët kyç arritën t’u imponohen kryeqytetasve, kampionë në fuqi në lojë dhe rezultat. Takimi nis vrullshëm për Studentin, i cili krijon një avantazh të lehtë fillimisht, për t’u barazuar nga Teuta në pikën e 15-të. Pas kësaj pike vendësit udhëheqin deri në pikët shtesë me vetëm 1 pikë avantazh. Në fund një gjuajtje dinake e Myftarit u jep bregdetarëve setin e parë. Edhe setin e dytë Studenti e nis më mirë. Teuta bën disa gabime radhazi dhe vendoset keq, por kjo i jep mundësi Studentit të prijë rezultatin deri në pikën e 20-të. Më tej Teuta nuk demoralizohet dhe falë vendosmërisë i barazon shifrat në 24-24. Por kaq, sepse blloku i miqve bllokon dy herë gjuajtjet e Renovicës dhe setet barazohen. Gjatë këtij seti, një pikë e dhënë fillimisht për Teutën nga gjyqtari Mujo dhe më pas për t’ia kaluar Studentit sjell irritimin e stafit dhe tifozërisë vendëse, për pasojë takimi ndërpritet për pak çaste. Ashtu si edhe dy setet e para, edhe i treti nuk starton mirë për Teutën. Studenti vendoset mjaft mirë në parket, gabon shumë rrallë dhe shfrytëzon çdo gabim të Teutës. Kryeqytetasit e nisin në avantazh dhe e përfundojnë po ashtu. Seti i katërt rikthen edhe një herë bindshëm Teutën, e cila falë edhe mbështetjes maksimale nga tifozëria shënon disa pikë radhazi. Pas pikës së 10- të Vuk Medenica për Teutën pëson një dëmtim të rëndë në kavilje, çka e detyron të lërë lojën. Por dalja nga loja e këtij lojtari kyç nuk ndikon në ecurinë e tyre, përkundrazi i bën më të kujdesshëm dhe falë saktësisë në çdo sulm i barazojnë 2-2. Në setin final Renovica godet fort dhe thyen bllokun e Studentit, duke bërë që fitorja e parë të shkojë për durrsakët. Pas ndeshjes Jurgen Dashi, kapiteni i Teutës, u shpreh: “Ndihemi shumë të lumtur për këtë fitore krejtësisht të merituar. Mënyra se si e arritëm ia shton edhe më shumë rëndësinë, pasi gjetëm forcat të ringrihemi edhe një herë pas dy seteve të humbura radhazi. Nuk e patëm aspak të lehtë përballë Studentit dhe kualiteteve të tij. Na u dëmtua një lojtar mjaft i rëndësishëm, ndaj shpresojmë që të rikuperohet për ndeshjen e së dielës”.

Previous articleMbi metropolet e mëdha
Next articleKampi durrsak, optimizëm për sfidën kundër korçarëve