Home Sport Volejboll meshkuj/Teuta dhe Erzeni e nisin vitin me fitore

Volejboll meshkuj/Teuta dhe Erzeni e nisin vitin me fitore

teuta volejbollVLLAZNIA-TEUTA 0-3     (20-25, 23-25, 21-25)
VLLAZNIA: Rahishta, Miloti, Qafarena, Drinazi, Taflaj, Jukni, D.Taflaj, Çekini, Qeraxhija, Gjoni, Doniku, Tafili. Trajner: A.Kalaja
TEUTA: A.Dashi, J.Dashi, Bardhi, Medenica, Pepaj, Myftari, Vora, A.Volga, Nazifi, Maku, Liti,
Penovica. Trajner: A.Nakovski
GJYQTARË: A.Shehu, R.Omari

Teuta shkëputet sërish 8 pikë nga rivalët, duke hipotekuar vendin e parë në kampionatin e meshkujve në volejboll në përfundim të dy fazave të para, kur duhet edhe një javë për t’u zhvilluar. Fitorja e arritur dje pasdite në Shkodër ndaj Vllaznisë me shifrat 3-0 ka mbyllur përfundimisht diskutimet për vendin e parë, vend që i takon Teutës, e cila dje korri fitoren e dhjetë në kampionat. Një sukses i vështirë por i merituar i ekipit të trajnerit Nakovski, që ndonëse pati epërsi në shumicën e kohës hera-herës rrezikonte me lojën e tij. Vllaznia nuk arriti të zhvillojë një ndeshje të përkryer dhe shpesh ishte në ndjekje të kundërshtarit dhe kur kishte mundësinë të fitonte nuk e shfrytëzoi mundësinë që iu dha. Teuta e nis më mirë ndeshjen dhe shkëputet gradualisht, duke fituar 25-20 setin e parë, falë një loje më të mirë në bllok. Në setin e dytë është Vllaznia që ka epërsi dhe udhëheq në shumicën e kohës, por shkodranët nuk e mbyllin setin ashtu siç e nisin. Vendasit gabojnë në sulm dhe Teuta përfiton, duke rihapur lojën dhe përmbys gjithçka në pikët e fundit, duke fituar 25-23. Kjo sikur demoralizon disi volejbollistët e trajnerit Kalaja, që nuk kanë motivimin e grintën e duhur, duke lëshuar gradualisht terren në setin e tretë. Teuta është më konkrete dhe nuk përsërit gabimet e setit të dytë, duke fituar 25-21 dhe krejt takimin 3-0. Një fitore dhe 3 pikë të arta për durrsakët, që tashmë presin të qetë Top Volej Ligën, ndërsa Vllaznia (javën e ardhshme është pushim) ka kohë të mjaftueshme për të mbledhur forcat për një fazë të fundit të kampionatit të denjë për titullin kampion.

ERZENI-ELBASANI 3-1     (25-21, 25-21, 17-25, 25-22)
ERZENI: Kaja, P. Uruçi, Sh. Uruçi, T. Mustafa, Biduli, Dedaj, Istrefi, Vora, Rusi, E. Mustafa, Prifti.             Trajner: A. Gjeçi
ELBASANI: Çeta, Çullhaj, Zenelhoxha, Pirra, Agushi, Kallajxhiu, Lamçja, Mano. Trajner: A. Miraku
GJYQTARË: R. Kuka, E. Preka

Erzeni në volejboll për meshkuj ka mundur 3-1 Elbasanin në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, duke iu larguar fundit të renditjes, për herë të parë këtë sezon. Përballë u vunë dy ekipet që mbyllnin renditjen dhe sfida ishte interesante, ndonëse niveli la shumë për të dëshiruar. Shijakaset e kërkuan me ngulm fitoren, duke e nisur mirë ndeshjen. Elbasani përpiqet por jo mjaftueshëm dhe dy setet e para janë fotokopje, si në lojë ashtu dhe në rezultat. Shijakaset fitojnë 25-21 dhe kujtojnë se e fituan kollaj ndeshjen. Por Elbasani, me shumë djem të rinj në përbërje, fiton 17-25 setin e tretë dhe rihap ndeshjen, e cila bëhet edhe më e fortë në setin e katërt. Rezultati barazohet disa herë, por në fund janë vendasit që shkëputen dhe fitojnë 25-22, duke korrur kështu suksesin e dytë në kampionat. Gjithsesi, të dyja ekipet mbyllin renditjen me pikë të barabarta dhe pjesën e mbetur të kampionatit do të jenë rivale në Volej Liga.

Previous articleRita Ora në shoqërinë e Snoop Dogg
Next articleObama, nisma të reja për kontrollin e armëve