Home Sport Volejboll Meshkuj/Federata vazhdon penalizimin, Teuta përjashtohet një vit nga aktiviteti

Volejboll Meshkuj/Federata vazhdon penalizimin, Teuta përjashtohet një vit nga aktiviteti

Teuta-volejbollFederata e volejbollit ka vijuar me qëndrimin e ashpër dhe penalizues ndaj ekipit durrsak të Teutës i cili mban peshën e aktivitetit në volejboll meshkuj. Megjithëse durrsakët protestuan ndaj vendimeve të dukshme arbitrare të gjyqtarëve në ndeshjen kundër Studentit madje durrsakët kanë denoncuar edhe falsifikimin e procesverbalit të ndeshjes asgjë nuk është marrë parasysh nga federata që ka mbështetur fare hapur ekipin e Studentit duke pemnalizuar Teutën gjë që ka sjellë indinjatën e të gjithë sportdashëve durrsakë. Durrsakët janë përjashtuar për një vit nga aktivitetet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe janë gjobitur me 300 mijë lekë. Ky ishte vendimi i marrë nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës Shqiptare të Volejbollit me shumicë votash 4- 1 (zëvendëspresidenti Agron Duka ishte kundër këtij vendimi). Në deklaratën për shtyp të KE-së, me firmën e sekretarit të Përgjithshëm të federatës, Leonard Tase, thuhej se pas diskutimeve rreth kësaj çështjeje u arrit në përfundimin që përgjegjësia kryesore për mosparaqitjen e ekipit Teuta në ndeshjen e radhës është e klubit sportiv “Teuta”. “Mosparaqitja e ekipit në ndeshje jo vetëm që dënohet nga rregullorja e brendshme, por ajo ka të bëjë edhe me prishjen e imazhit të organizatorit, në këtë rast FSHV-së. Bazuar në nenin 6.4 të rregullores së brendshme ekipi i Teutës në volejboll për meshkuj skualifikohet nga kampionati kombëtar i sezonit sportiv 2012-2013 dhe gjobitet me 300 mijë lekë. Gjithashtu, bazuar në nenin 6.4.1 të rregullores së brendshme, klubi sportiv ‘Teuta’ përjashtohet një vit (një sezon sportiv), përkatësisht 2013-2014 nga të gjitha aktivitetet zyrtare kombëtare dhe ndërkombëtare. Me këtë rast Komiteti Ekzekutiv i FSHV-së i tërheq vëmendjen gjithë komunitetit të volejbollit për mospërsëritjen e rasteve të tilla flagrante, të mosparaqitjes së ekipit në ndeshjet zyrtare, pasi ky veprim jo vetëm që është i dënueshëm për një skuadër sportive, por edhe dëmton imazhin e vetë klubit sportiv apo shoqatës sportive. Në të njëjtën kohë ndikon negativisht në imazhin e këtij sporti në vendin tonë”, – thuhej në vendimin e Komitetit Ekzekutiv. Federata në këtë rast i ka bërë veshët shurdhë dhe sytë qorr kundrejt argumentave të vërtetuara të durrsakëve që kërkonin thjesht dhe vetëm zbatimin e rregullores ndërkohë që federata dhe sekretari i saj Leonard Tase nuk kanë dashur të dëgjojnë asgjë dhe kanë marrë thjesht vendime në favor të Studentit duke sjellë si pasojë jo vetëm penalizimin e Teutës por penalizimin dhe shëmtimin e të gjitha aktiviteteve të volejbollit meshkuj ku Teuta është pretendentja kryesore për trofe dhe dënimi i ekipit durrsak e zhvleftëson tërësisht këtë sport.

Previous articleTeuta vazhdon luftën për vendin e dytë
Next articleHafiz Maliq Nezir Jakova, njeri i thjeshtë, luftëtar dhe i nderuar për të gjithë brezat.