Home Kosova Vlerësohet pozitivisht shkurtimi i procedurave të zhdoganimit të mallrave

Vlerësohet pozitivisht shkurtimi i procedurave të zhdoganimit të mallrave

largea_menaxhimi_i_dog1362818378Ndonëse procedurat e zhdoganimit janë shkurtuar në më pak se dy orë, drejtues të Doganave të Kosovës thonë se janë duke punuar që zhdoganimi të kryhet edhe brenda Kosovës, pa pritje kufitare. Kjo vlerësohet pozitivisht nga përfaqësues të komunitetit të biznesit.

Falë reformave të ndërmarra në sistemin doganor të Kosovës, është zvogëluar ndjeshëm numri i dokumenteve, por edhe koha e nevojshme për zhdoganimin e mallrave.

Drejtori i Doganave të Kosovës, Naim Huruglica, tha në një takim me afaristë se numri i dokumenteve të nevojshme është zvogëluar nga 8, sa ishte vitin e kaluar në 3 sosh, kurse procedurat e zhdoganimit janë zvogëluar ndjeshëm.

“E dimë se nga një situatë kur ka pasë pritje 24 orë ose 48 orë, sot kemi ardhur në një situatë kur për më pak se dy orë kryhen të gjitha procedurat, edhe pse kjo kohë në shumë vendkalime është edhe më e mirë”, tha Huruglica për transmetuesin publik.

Huruglica bëri te ditur se tash po angazhohen në drejtim të evitimit komplet të pritjeve kufitare.

“Tani e tutje do të punojmë në drejtim të largimit të zhdoganimit në kufi, duke ju dhënë të drejtë bizneseve që të zgjedhin më afër vendbanimeve apo zyrave, që t’i kryejnë ato zhdoganime. Të largohen pritjet kufitare, të lejohet transiti i brendshëm, të lejohet transiti i jashtëm”, theksoi ai.

Shkurtimi i procedurave të zhdoganimit të mallrave në kufi, vlerësohet pozitivisht nga përfaqësues të komunitetit të biznesit, ndërkaq mirëpritet edhe zhdoganimi brenda vendit. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini, thotë se në këtë mënyrë lehtësohet edhe më tej puna e bizneseve.

“Kjo tregon që në Kosovë po ndërtohet për çdo ditë një mundësi më e mirë për zhvillim të ekonomisë dhe të biznesit, prandaj inkurajojmë Doganat e Kosovë që edhe më tutje të mbështesin zhvillimin e biznesit, t’i shkurtojnë procedurat e eksportit dhe të importit, por pa e ulur cilësinë dhe sigurinë për buxhetin e Kosovës”, tha ia për transmetuesin publik.

Ndryshe, sa i përket aspektit doganor, Kosova ka arritur harmonizimin e plotë të legjislacionit me atë të BE-së, që ndikon në krijimin e lehtësirave tregtare, si dhe ndihmon tregtinë e ligjshme

Previous articleKonfirmohen 21 dënime me vdekje në Egjipt
Next article‘Rruga drejt…’, ballë për ballë Talat Xhaferri dhe Stojanço Angellov