Home Kosova Vjosa Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos flitet për marrëveshje...

Vjosa Osmani: Serbia ka krijuar krizë që të mos flitet për marrëveshje finale

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të mërkurën se Serbia ka krijuar krizë në javët e fundit, në mënyrë që të mos diskutohet marrëveshja finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Ajo i ka bërë këto deklarata në një konferencë të përbashkët për media me presidentin bullgar, Ruman Radev në Sofje.

“Është koha që ndërmjetësuesit e dialogut, Bashkimi Evropian, ta kuptojnë se Serbia ka përdorur taktikën e pengimit përmes pjesëmarrjes”.

Sipas Osmanit, pala serbe diskuton në tavolinë me kushtëzime dhe pengesa.

“Kjo është mënyra se si ata tentojnë të bllokojnë perspektivën e Kosovës në rajon dhe në nivel ndërkombëtar. Natyrisht, është në interesin tonë që ta përmbyllim këtë dialog me një marrëveshje ligjërisht të zbatueshme dhe duhet ta kuptojmë se pala që është në anën tjetër të tavolinës, nuk është e interesuar që ta përmbyllë këtë proces me sukses”, tha Osmani.

Presidentja e Kosovës ka thënë se Serbia ka nisur të prodhojë kriza muaj më parë, kur, sipas saj, Bashkimi Evropian, i mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, Franca dhe Gjermania kanë dalë me një propozim për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve mes dy vendeve.

Propozimi që përmendi ajo – i njohur në publik si plani franko-gjerman – thuhet se parasheh disa hapa që do të çonin në zgjidhjen e problemeve midis Prishtinës dhe Beogradit.

Së fundi, Bashkimi Evropian ka nisur t’i referohet atij si “propozimi i Brukselit”.

“Interesi ynë është i kundërt, pra që diskutimet të nisin sa më parë të jetë e mundur”, ka thënë Osmani, duke shtuar se shpreson që BE-ja t’i dërgojë mesazh Serbisë se nuk mund të bllokojë më procesin.

Ekzistenca e propozimit të BE-së është konfirmuar edhe nga liderët e Kosovës edhe nga ata të Serbisë.

Në Kosovë është parë si “bazë e mirë” për diskutime të mëtejme në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që ndërmjetësohet nga BE-ja. Ndërsa në Serbi kanë thënë se ky plan nuk është në favor të saj.

Më herët, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka deklaruar se plani parasheh që Serbia të mos e pengojë Kosovën nga anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, në këmbim të përshpejtimit të anëtarësimit të saj në BE.

Previous articleNë kërkim për marrjen peng të Jan Prengës, arrestohet në Spanjë 40-vjeçari
Next articleFOTO/ E vrau në javën e fundit të shtatzënisë, kush është çifti nga Kosova, martesa nuk u zgjati as 1 vit