Home Kosova Vizita e Kurtit në SHBA, Çitaku: Alarmuese nëse kthehet pa takuar asnjë...

Vizita e Kurtit në SHBA, Çitaku: Alarmuese nëse kthehet pa takuar asnjë zyrtar të lartë

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku, tha se do të ishte shqetësuese nëse kryeministri i vendint Albin Kurti do të kthehet nga SHBA-ja pa asnjë takim të nivelit të lartë shtetëror.

Në një intervistë për Express, ajo u shprej se deri tani vizita e shefit të qeverisë në SHBA ka qenë e zbehtë dhe se Kurti nuk kishte një axhendë konkrete e cila nevojitet në rast se do të zhvillohen takime në Shtëpinë e Bardhë, Departament të Shtetit apo Pentagon.

Deri më tani po bëhen një javë, një vizitë shumë e zbehtë e kryeministrit Kurti në ShBA. Nuk është e rëndomtë që një kryeministër i një vendi të shkojë në një vizitë në SHBA ta quajë atë vizitë pune. Janë bërë më shumë se një vit që Kurti është në krye të qeverisë dhe ende s’ka pasur takim me Sekretarin e Shtetit apo të Mbrojtjes apo në Shtëpi të Bardhë dhe kjo duhet të na shqetësojë”, tha ajo.

Çitaku tha se do të donte që Kurti të kishte një vizitë më substanciale dhe më domethënëse në Amerikë pasi sipas saj as kryeshefat ekzekutivë të kompanive teknologjike s’e kanë pritur në takim.

Kryeministri mund të shkojë edhe në pushim në SHBA është në rregull por një vizitë si kjo nuk mund të quhet vizitë pune, madje edhe takimet që ishin në Kaliforni me tech-kompanitë unë nuk pashë që kishte takime me kryeshefat ekzekutivë të këtyre kompanive jam kurreshtare ta di se kush e ka pritë nga këto kompanitë. Kjo nuk më bën të lumtuar gjithsesi, do të doja që kryeministri të ketë një vizitë më substanciale dhe më domethënëse”, tha Çitaku.

Ish-ministrja e Integrimeve Evropiane, shtoi se nëse kryeministri Kurti përfundon vizitën në Amerikë pa takuar Sekretarin e Shtetit, atë të Mbrojtjes apo pa takime në Shtëpinë e Bardhë atëherë është alarmuese për të gjithë.

Nuk e di edhe sa ditë i kanë mbetë në ShBA kryeministrit Kurti, unë shpresoj që të ketë takime të nivelit të lartë, por nëse kthehet nga SHBA-të pas më shumë se 10 ditësh dhe nuk ka asnjë takim me Sekretarin e Shtetit, të Mbrojtjes apo në Shtëpinë e Bardhë ky do të duhej të ishte një alarm për të gjithë ne” , tha Çitaku.

Kryeministri Kurti është duke zhvilluar një vizitë disaditore në SHBA të cilën e kishte paralajmëruar muaj më parë, por deri më tani ai nuk ka zhvilluar takime të nivelit të lartë dhe madje as nuk ka publikuar axhendën e tij gjatë qëndrimit.