Home Kosova Vizatoi Kurtin e Vuçiçin duke u puthur, Reuters raporton për kërcënimin që...

Vizatoi Kurtin e Vuçiçin duke u puthur, Reuters raporton për kërcënimin që mori artistja nga Kosova

Ndërsa liderët e Kosovës dhe Serbisë po takohen për të negociuar një marrëveshje paqeje, një artiste e re nga kryeqyteti i Prishtinë ka të ngjarë të vazhdojë të marrë kërcënime për një pikturë që përshkruan liderët e të dy vendeve duke u puthur. Piktura e Ermira Muratit, e cila është 3 m e gjatë, e ilustron kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiç, të përqafuar, duke puthur njëri-tjetrin në buzë me sy mbyllur.

“Unë e shoh marrëdhënien e tyre si një shfaqje aktrimi…dhe të dy popujt e Kosovës dhe Serbisë, ne po shohim të njëjtin shfaqje”, tha Murati, i njohur si Vajza Portokalli, për Reuters, duke paraqitur pikturën e saj, e cila tregon të dy burrat me kostume të zeza, në një sfond të ndritshëm portokalli.

“Pavarësisht se sa të thella janë marrëdhëniet kaotike mes Kosovës dhe Serbisë, mendoj se rinia jonë e do paqen më shumë se çdo gjë tjetër. Historia regjistron puthje nga momentet e dhimbjes dhe lamtumirës. Por historia na kujton edhe puthjet e vëllazërisë dhe madje edhe tradhtinë. A do të jetë kjo një prej tyre?,“- shkruan Murati në llogaritë e saj në rrjetet sociale teksa zbuloi pikturën e saj më 17 shkurt, kur Kosova festoi 15 vjetorin e pavarësisë nga Serbia.

Mijëra në rrjetet sociale postuan komente për pikturën e Muratit, ku shumica përdorën gjuhë urrejtjeje dhe disa madje kërcënuan me vdekje.

“Ti meriton një plumb,” i shkroi një komentues.

Murati, e lindur një vit pas përfundimit të luftës në vitin 1999, njihet për thyerjen e tabuve me punën e saj artistike. Ajo mori kërcënime vitin e kaluar kur realizoi një pikturë të ngjashme që tregonte dy burra të veshur me kostume popullore shqiptare duke u puthur në buzë si një gjest mbështetjeje për komunitetin gay në Kosovë, ku shoqëria e fortë konservatore ende heziton të pranojë homoseksualët.

Murati tha se piktura e re kishte një mesazh thjesht politik dhe se ajo ishte mësuar të merrte kërcënime, dhe në të vërtetë, se çdo reagim negativ kishte ndezur një diskutim mbi këtë temë.

“Kjo nuk po më pengon. Në momentin që ata reagojnë ashtu siç po bëjnë, atëherë e kuptoj që mesazhi ka shkuar në vendin e duhur. Kjo po krijon një debat.”

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi nuk e njohu kurrë shtetësinë e ish-krahinës së saj të shkëputur dhe ende e konsideron atë pjesë të territorit të saj./Reuters

Previous articleTakimi Kurti-Vuçiç, ambasadori suedez në Kosovë: Shans i vogël për lajm pozitiv nga Brukseli
Next articlePutini e shpërblen aktorin e Hollivudit me dekoratë shtetërore