Nisja e vitit të ri arsimor në Durrës edhe për këtë vit do të vijojë me turne, pasi 14 objekte arsimore ende nuk kanë përfunduar procesin e rindërtimit.
Sipas drejtoreshës së Zyrës Vendore Arsimore Durrës, Amarilda Thërrmija, fenomeni i mësimit me dy turne do të jetë prezent edhe për këtë vit pasi në aktualisht janë 7 shkolla në proces rindërtimi, si dhe 7 shkolla të tjera janë planifikuar për t’ju nënshtruar procesit të rikonstruksionit.
Pavarësisht kësaj situate që vështirëson menaxhimin e procesit mësimor edukativ, sipas saj, janë marrë të gjitha masat për sistemimin e nxënësve në shkolla pritëse dhe zbatimin e orareve mësimore, që bëjnë të mundur sigurimin e efektivitetit në këtë proces.
Në total, në Durrës do të ndjekin mësimin rreth 20739 nxënës për vitin shkollor 2023-2024 në arsimin bazë dhe 8252 në arsimin e mesëm të lartë. Ndërkohë, me uljen e moshës për vogëlushët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës është rritur dhe numri i tyre, me rreth 1000 më shumë se vitin paraardhës, që në total përllogaritet me 2425 nxënës që do të nisin klasën e parë.