Kreu i PD-së Durrës, Ferdinand Xhaferaj, përmes një prononcimi në media, ka hedhur akuza për menaxhimin e situatës së pandemisë dhe ligjit të ri për vendosjen e maskave. Ai ka hedhur akuza, duke thënë se vetë spitali i Durrësit është bërë qendër infektimesh nga Covidi, dhe se kjo përgjegjësi nuk bie mbi qytetarin durrsak. Xhaferaj e ka cilësuar vepër kriminale atë që ka ndodhur pasi sipas tij, qytetarët nuk pranojnë të shkojnë në spital, edhe kur dyshojnë se janë infektuar, por kurohen privatisht.
Pjesë nga fjala e Xhaferaj:
Sikurse e dini, që nga dita e nesërme, maska bëhet e detyrueshme për tu mbajtur, dhe në ambjentet e hapura. Por burimi i infeksionit nuk është qytetati durrsak që shëtit buzë detit me apo pa maskë. Burimi i infeksionit është ky spital që qëndron pas meje. Këtu, tek hyrja e urgjencës kalon pacienti që dyshohet për Covid.
Këtu brenda urgjencës, në dy dhoma ngjitur me sallën e operacionit qëndrojnë të gjithë të dyshuarit me Covid dhe qëndrojnë dy apo tre ditë derisa i vjen përgjigja e testit, që në shumicën e rasteve është pozitive. Pra, këtu ku janë pacientët me Covid, këtu kalojnë e qëndrojnë mjekët, infermierët, sanitarët, të cilët testohen vetëm kur shfaqin simptoma të rënda. Këtu kalojnë të aksidentuarit që kanë nevojë për urgjencën dhe familjarët që i shoqërojnë. Këtu kalojnë fëmijët që kanë temperaturë.
Ky është një skandal! Një skandal që ne si Partia Demokratike e Durrësit kemi kërkesë që menjeherë prokuroria e Durrësit duhet të fillojë hetimin. Është vepër penale, vepër kriminale e dënueshme me ligj ajo çfarë ka ndodhur këto 6 muaj në spital, dhe njëkohësisht Ministria e Shëndetësisë duhet të ndërhyjë menjëherë.
Absurditeti tjetër është që Durrësi ka një spital Infektiv, një spital me dy kate, që paguhet me taksat e kryetarëve, një spital Infektiv që nuk përdoret as në kohë pandemie. Këto janë të gjitha arsyet që qytetarët durrsakë edhe kur dyshojnë që kanë Covid, nuk vijnë në spitalin e Durrësit. Mes shumë sakrificash trajtohen në shtëpi me një faturë financiare që i kalon 600 mijë lekë të vjetra. Kjo është shëndetësia falas që ka prodhuar Edi Rama.
I pyetur nëse ka një shifër sa të shtruar janë me Covid në spitalin e Durrësit, Xhaferaj përgjigjet: Zakonisht këtu qëndrojnë të gjithë të dyshuarit, për 48 orë, për 3 ditë. Kush dyshohet me Covid, nuk ka mjaftuar një dhomë dhe tani i kanë sistemuar në dy shoma të ndryshme. Një skandal i paparë.