Policia e Kosovës ka nisur hetimet për rastin e veturës së një imami në Pejë, së cilës në orët e para të mëngjesit i është vënë flaka nga një person i maskuar. Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Driton Rugova, për Telegrafin ka thënë se rasti është cilësuar si “Zjarrvënie”. Po ashtu është bërë e ditur se për rastin që ka ndodhur në rrugën “Rozafa”, autoritetet janë njoftuar rreth orës 03:45.
Njoftimi i Policisë:
“Me datë 08.03.2023, rreth orës 03:45, Policia është informuar se në rrugën ‘Rozafa’ në Pejë, një veturë është përfshirë nga zjarri. Policia menjëherë ka dalë ne vendngjarje, gjithashtu edhe njësiti i zjarrfikësve të cilët kanë arritur ta shuajnë zjarrin. Rasti është duke u hetuar nga Policia, dhe është cilësuar si ‘Zjarrvënie’”.
Po ashtu vetë imami Eroll Rexhepi ka shkruar në Facebook se një person gjysmë i maskuar i ka vënë flakën me lëndë djegëse makinës.
“Mirëmengjesi bashkqytetarë, miq shokë e dashamirë. Sot rreth ores 03:07 am, para shtëpis sime në lagjen Kapeshnicë, rruga Rozafa në Pejë, një person gjysëm i maskuar ja vënë flakën me lëndë djegëse makinës sime duke e djegur në tërësi dhe duke shkaktuar dëmë të tjera… Falënderoi Zotin që nuk kishim dëme në jetët e njerëzve dhe për rreth shtëpive të tjera! Kërkoi me ngulm nga Policia e Kosovës, Prokuroria dhe akterët e rendit e sigurisë që sa më shpejt të zbulojn nxitësin dhe kryesin e këtij akti qyqar! Faleminderit fqinjëve që më njoftuan dhe u solidarizuan me mua. Faleminderit Policisë së Kosovës, Zjarrëfiksve që ishin në vend ngjarje. Në fund një mesazh për gjithë ju. “Kujdes kujt i bënë mirë” Ju lutem më falni për shqetsimin!”, shkruan ai.