Qendra e Vetëvendosjes në Prishtinë organizoi një tubim mobilizues për protestën që është paraparë të mbahet më 30 mars në sheshin “Mehë Uka” në Mitrovicë. Kreu i VV-së për Prishtinën, Berat Lahu foli për arsyen e këtij tubimi, me qëllim të mobilizimit për protestën e quajtur “Bashkohemi në Mitrovicë” dhe me këtë rast ftoi të gjithë që të jenë pjesë e këtij tubimi protestues në Mitrovicë, të dielën në orën 13:00.
Kreu i Vetëvendosjes, Albin Kurtit tha se ndarja e Mitrovicës nuk ishte fatkeqësi natyrore, por ishte e programuar politikisht prej Serbisë, me ç’rast ura që simbolizon bashkimin u shndërrua në urë të ndarjes. “Kjo ndarje është toleruar nga KFOR-i francez dhe më shumë se kaq. Aso kohe, ka pas mungesë të vigjilencës nga ana e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së dhe komandantëve atje, që nuk e kanë kuptuar momentin historik të ndarjes së Mitrovicës. Flitet se ka pas urdhër të çuditshëm që UÇK të mos shkojë në veri, por të koncentrohet në jug të Mitrovicës e në Prishtinë”, u shpreh Kurti, duke vlerësuar se gjendja në veri të vendit është kriminale.
Ai shtoi se shqiptarët në veri të Mitrovicës, njësoj si shqiptarët në Preshevë e Bujanoc, jetojnë të shtypur, të terrorizuar, të shfrytëzuar ekonomikisht e të nënpërfaqësuar. “Këta shqiptarë jetojnë në gjendje lufte pa luftë. Këtyre shqiptarëve nuk iu del zot as Prishtina e as Tirana zyrtare”, theksoi ai.
“Para luftës, 53% e banesave në veriun e Mitrovicës ishin të shqiptarëve, sipas raportit të Grupit Ndërkombëtar të Krizave. Kur kësaj i shtohet fakti se familjet shqiptare kanë dukshëm më shumë anëtarë sesa ato serbe, atëherë bëhet e qartë se shumica dërmuese e popullatës atje ishte shqiptare. Vetëm më 3 dhe 4 shkurt të vitit 2000, 11 shqiptarë janë vrarë, me dhjetëra të tjerë janë keqtrajtuar ose plagosur, ndërsa 1 564 familje me 11 364 anëtarë janë dëbuar. Përkundër këtij terrori të përditshëm atje, shqiptarët nuk i kanë lëshuar trojet e veta. Janë mbi 4 000 shqiptarë që vazhdojnë të jetojnë atje. Ata po e bartin çmimin e madh të pavarësisë së gjymtuar, të paplotë, e në disa raste edhe të rrejshme”, vlerësoi Kurti.
Sipas tij, “është e domosdoshme që ne si VETËVENDOSJE!, si qytetarë të Kosovës e si shqiptarë, ta dëshmojmë e ta tregojmë me vepër solidarizimin tonë për Mitrovicën, përmes këtij tubimi në sheshin Mehë Uka. Ajo nuk është çështje lokale. E gjithë Kosova e kombi shqiptar duhet të ngrihet për Mitrovicën, sepse Mitrovica është vend strategjik tradicional shqiptar”, tha Kurti, për të shtuar se angazhimi për Mitrovicën është angazhim për Trepçën dhe liqenin e Ujmanit, që janë jetike për Kosovën. “Trepça e Mitrovica nuk janë vetëm gjigant ekonomik i së kaluarës, por shans për zhvillim ekonomik në të tashmen e në të ardhmen. Një vend pune në minierë, i siguron 4 vende të reja pune mbi tokë. Liqeni i Ujmanit është interes strategjik i Kosovës. Asnjë ditë të vetme nuk mund të ketë Kosova energji elektrike pa të”, theksoi pos tjerash lideri i VV-së