Orkestra Simfonike e RTSH hapi sezonin artistik me një koncert në hollin ”Gjon Simoni”. Në koncert një program me vepra nga autorët Jetmir Zaganjori, Wolfgang Amadeus Mozart, Ludwig van Beethoven. Solist Daniel Vlashi Lukaçi violinë dhe dirigjent Aurélien Azan Zielinski (drejtor artistik). Në këtë koncert veç veprave të autorëve të huaj u luajt dhe “Valle popullore shqiptare” nga Jetmir Zaganjori.
Kjo valle popullore shqiptare ka fituar çmim në konkursin e parë të hapur për kompozime si vepra më e mirë e orkestrave të të rinjve në Ballkanin Perëndimor (WBYO). Pas koncertit që u zhvillua mbrëmjen e së premtes në hollin “Gjon Simoni” në vijim për publikun do të jenë të tjerë koncerte gjatë këtij sezoni koncertor. Solisti violinist Daniel Vlashi Lukaçi, i lindur në Coruña të Spanjës, ka që nga viti 2022 që është zëvendës koncert maestro i Orkestrës Simfonike Gjermane të Berlinit (DSO). Më parë, në 2020-n, ka qenë anëtar i orkestrës së Akademisë “Ferenc Fricsay” dhe po mbaron studimet master për violinë në Akademinë e Muzikës “Hanns Eisler” të Berlinit. Më parë ka studiuar në “CNSMD” në Lion me Marianne Piketty dhe nisi përgatitjen me të atin, Florian Vlashin.
Ka punuar rregullisht me Orkestrën Simfonike të Galicisë dhe Operën e Lionit, si dhe me Orkestrën e Festivalit “Verbier” dhe “Orquesta Joven de la Sinfonica de Galicia”. I nxitur nga pasioni i tij për muzikë dhome, ai themeloi “Quatuor Confluence”, me të cilin ka fituar disa çmime duke dhënë koncerte anembanë Francës. Daniel Vlashi Lukaçi ka marrë pjesë gjithashtu në festivale dhe ka dhënë koncerte si solist në ansamble të ndryshme muzike dhome në Spanjë, Francë, Gjermani dhe Shqipëri. Jetmir Zaganjori, pasi mbaroi Universitetin e Arteve, Tiranë dhe Masterin për Kompozicion ndoqi edhe Shkollën Verore Irlandeze në Dublin, si dhe ka dhënë gjithashtu harmoni si pedagog i jashtëm në UART. Disa nga veprat e tij të interpretuara janë “Baleti Balkan Express”, “Variacione 2014”, “Muji, Halili dhe Zana”, “Agonia”, “Anosmia”, etj.