Home Politike Veliaj: Ndertimi ka mbajtur ekonominë në këmbë. Opozita ka humbur gjithë betejat...

Veliaj: Ndertimi ka mbajtur ekonominë në këmbë. Opozita ka humbur gjithë betejat kundër Bashkise

Në një intervistë në Report Tv, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka zbuluar pak nga fushata e socialistëve për 14 majin, ku u shpreh i bindur se do të jetë pa shpenzime, jo me mitingje të mëdha po me ‘Range Rover’, referuar kundërshtarëve të tij politik.

Përballë gazetarit Arbër Hitaj në ‘Studio Live’, Veliaj është shprehur se nuk e njeh Belind Këlliçin si kundërshtar përTiranën, duke e cilësuar si “Luli i radhës” apo edhe “pudra e Saliut”. Ai e ka përjashtuar si mundësi zhvillimin e një debati publik me Këlliçin, duke thënë se nuk mund të ulet në një tryezë me një përfaqësues që vjen nga ‘Non Grata’, referuar Sali Berishës.

“Fushatë low cost, nuk jemi rraca për të hipur në Rang Rover, jepen ide programe po nuk ka nevojë për mitingje dhe si kacafyten militantët, ne si socialistë nuk i kemi bërë kurrë, por edhe shoqëria nuk i pëlqen këto lloj fushatash. (…) Nuk ka rëndësi si quhet Luli i Radhës, por ne me një përfaqësues që vjen nga një ‘Non Grata’, ne nuk ulemi, s’mund të ndodh që ne t’i bëjmë legjitimitet Berishës që gjithë bota i ka vënë kryq. Të presim të gjithë kandidatët, do punojmë vetëm me partinë zyrtare, nëse Saliu e ka gjetur pudrën e radhës, kjo është punë e tyre”, tha Veliaj.

Kritikëve se gjatë drejtimit të tij ka pasur një bum ndërtimesh, Veliaj iu përgjgij duke thënë se ka qenë pikërisht ky sektor që ka mbajtur ekonominë në këmbë gjatë pandemisë. E duke folur për këtë çështje, Veliaj nuk e kurseu edhe një ironi për analistët e kryeqytetit teksa tha se ata reklamojnë në rrjetet sociale kullat e Dubait, flasin për kulla në Tiranë, ndërkohë që janë vetëm 10 të tilla.

“Pse kur shkojnë në Dubai na çmendin në instagramin e tyre me foto nga kullat këta analistët.  (…) Kulla Tirana nuk ka as 10”, tha Veliaj.

I bindur në fitoren e tij në ’14 maj’, Veliaj tha se për Tiranën e 2023 dhe viteve të ardhshme, janë gati shumë projekte, një pjesë të secilave i renditi në Report Tv, nga poli i drejtësisë te ‘Bulevardi i Ri’ te ndërtimi i 8 shkollave të reja.

“Tiranës i ka ardhur koha për të rikthyer polin e drejtësisë te Bulevardi i Ri … institucionet e drejtësisë të popullojnë bulevardin e ri, hipotekën, tatimet  etj te ‘5 maji’. Jemi në fazën përfundimtare për të mbyllur projektin në sheshin fundor te bulevardi i ri. Jemi gati të shpallim sa të gjejmë dakodërsinë me donatorët. Duam të përfundojmë paketën e shkollave me 8 shkolla të reja, kështu përfundojmë gjithë sfidën tonë për të shmangur mësimin me dy turne. Është shumë e rëndësishme ta çojmë deri në fund këtë mision, të mbahemi mend në histori si bashkia që ka bërë më shumë shkolla”, u shpreh Veliaj.
Ai iu është përgjigjur zërave që flasin për një marrëdhënie të krisur mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, ku theksoi se një gjë nuk është e vërtetë, madje shtoi se në histori nuk ka pasur kryeministër dhe kryebashkiak që kanë bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin.

Duke marrë si shembull sjelljen e kandidatit të Sali Berishës për Bashkinë e Tiranës, me banorët e Pallatit nr.4 në rr. “Myslym Keta” pak ditë më parë, Veliaj tha se nëse ata do ishin ende në ato banesa, tërmeti i tre ditëve më parë mund të ishte kthyer në një fatkeqësi.

“I keni parë sondazhet, i keni parë bllokimet te Astiri, e keni parë pallatin nr.4, e keni parë “5 majin”?! Ata janë si ca nga fqinjët tanë, që shkojnë nga humbja në humbje dhe festojnë sikur është fitore. Jam i  sigurt se edhe pas zgjedhjeve do të festojnë me të njëjtën mënyrë. Përtej shakasë: e vetmja ftesë që kam, jo vetëm për kandidatët që kanë dalë, por për të gjithë kandidatët, hajde të bëjmë debat, të diskutojmë temat dhe çështjet që i shohim ndryshe, por kjo kultura e sharjes, e vulgaritetit nuk shkon. Kjo kultura për përdorimin e njerëzve nuk shkon. Imagjno të kishte kandidat në një vend tjetër të botës dhe t’u thoshte njerëzve mos dilni nga pallati  që është caktuar nga Instituti i Ndërtimit për t’u prishur. Nuk shkon, se tërmeti ndodhi përpara tre ditësh dhe po t’i kishte zënë brenda, po këta do të suleshin dhe do të thoshin i vrau Lali Eri me Edi Ramën.

Në këtë sens, unë e mirëkuptoj fushatën, e mirëkuptoj si shkojnë nga humbja në humbje, humbasin tek “5 maji”, humbasin tek pallati nr. 4, humbasin tek Astiri, humbasin tek këndi i lodrave, humbasin tek sheshi, humbasin dhe flenë gjumë te teatri, humbasin tek të gjitha këto projekte, ajo është puna e tyre. Ka dhe fqinj këtu në rajon që festojnë vetëm humbjen. Ajo është një tipologji dhe mentalitet që s’e ndryshoj dot sepse është e tyre, por ajo që unë them është: mos u tallni me njerëzit, i merrni në qafë  në kënde lodrash, në Astir, në bulevard, te “5 maji”, në pallate që janë për t’u prishur dhe pastaj i braktisni, dhe është detyra e Bashkisë së Tiranës për t’u kujdesur për ta. Politika si çdo gjë tjetër është me masë”, tha Veliaj në Report tv.

Previous articleQeveria zyrtarizon hapjen e Ambasadës shqiptare në Kiev
Next articlePresidenti Begaj pret përfaqësuesit e Trupit Diplomatik në Shqipëri: Shqiptarët, faktor paqeje në Ballkan