Home Kosova Vazhdon sot në Hagë gjyqi ndaj Salih Mustafës

Vazhdon sot në Hagë gjyqi ndaj Salih Mustafës

Ka nisur ditën e sotme në orën 9:30, në Dhomat Speciale në Hagë, seanca gjyqësore ndaj ish-pjesëtarit të UÇK-së, Salih Mustafa. Katët dëshmitarë janë dëgjuar deri më tani në gjyqin ndaj tij, kurse dy të tjerë është paralajmëruar të dëshmojnë në janarin e vitit të ardhshëm.

Gjatë seancës së sotme do të vazhdojë dëgjimi i dëshmitarit të katërt të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në rastin e Mustafës, ose siç njihet, Komandant Calit.

Salih Mustafa është gjykimi i parë që ka filluar në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.  Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është i arrestuari i parë nga Specialja ku më 12 qershor 2020 është konfirmuar aktakuza ndaj tij, kurse arrestimi i tij u bë me 24 shtator, ku po të njëjtën ditë, ai është transferuar në objektin e paraburgimit në Hagë.

Më 24 shtator ishin bërë publike edhe aktakuza ndaj Mustafës. Aktakuza kundër tij për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme është konfirmuar në qershor të vitit të kaluar. Krimet për të cilat akuzohet Mustafa, sipas aktakuzës, dyshohet se janë kryer gjatë muajit prill të vitit 1999 në një qendër ndalimi në fshatin Zllash që ndodhet në rrethinën e Komunës së Prishtinës.