Home Kulture Vasil Tole: 70-vjetori i themelimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit...

Vasil Tole: 70-vjetori i themelimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit një mundësi për të vlerësuar e nderuar të gjithë artistët themelues, ata të djeshëm e të sotëm

Opera e parë e skenës tonë është “Rusallka”. Kjo vepër u realizua në 27 nëntor të vitit 1953 dhe kjo datë hyri në historinë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit si dita e themelimit e këtij institucioni . Muzikologu akademik Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave, i cili ka ndarë në rrjetet sociale një kronikë të operas “Rusallka” që u vu në skenën tonë dekada më parë për publikun, shprehet se kronika e rrallë e asaj dite sjell atmosferën e premierës. “Viti 2023 është viti i 70- vjetorit të themelimit të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit. Ishte premiera e operas “Rusallka”, e kompozitorit Dargomirski, e vënë në skenë në nëntor 1953, nga orkestra, kori, solistët dhe baleti i Filarmonisë së Tiranës, e cila konsiderohet si dita e themelimit të institucionit të Teatrit të Operas dhe Baletit në Shqipëri. Kjo kronika e rrallë e asaj dite sjell atmosferën e premierës, shfaqje e realizuar në sallën e Teatrit Kombëtar në Tiranë. Në rolin e Rusallkës soprano Jorgjie Truja”, shprehet akademiku Vasil Tole. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit ka nisur aktivitetin artistik këtë janar të vitit 2023. Por ky vit sipas muzikologut dhe akademikut Vasil Tole është dhe një mundësi për të vlerësuar artistët. “70- vjetori i themelimit të institucionit të operas është një mundësi për të vlerësuar e nderuar të gjithë artistët themelues, ata të djeshëm e të sotëm, për vlerat e tyre, si dhe stafet teknike e ndihmëse”, shprehet akademiku. “Mrika” kompozitorit Prenk Jakova është opera e parë shqiptare. Muzikologu dhe akademiku Vasil Tole shprehet se ajo u vu pesë vjet më pas në skenën e Shkodrës. “5 vjet më pas, po në nëntor 1958, kompozitori Prenk Jakova do të krijonte dhe vinte në skenën e Shkodrës operan “Mrika”, të parën opera shqiptare”, shkruan Tole. Sipas muzikologut dhe akademikut Vasil Tole vënia në skenë e këtyre dy veprave janë dy datat historike të fillimit të operistikës në Shqipëri.

 

Opera “Mrika”

Shkruar nga kompozitori Prenk Jakova opera “Mrika” u interpretua në skenë nga artistë të njohur të kohës. Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit në një material më parë shkruante se opera “Mrika” që u shfaq për herë të parë më 1 dhjetor të viti 1958 në Shkodër, në TKOB u realizua më 26 nëntor të vitit 1959, me libret të Llazar Siliqit, regji të Pandi Stillu dhe dirigjent Mustafa Krantja. Prenkë Jakova (Shkodër, 27 qershor 1917 – 16 shtator 1969) ka qenë arsimtar, muzikant, kompozitor dhe autori i operës së parë shqiptare titulluar “Mrika”. Vepra “Mrika” ishte opera e parë në historinë e artit muzikor shqiptar, të cilën Prenkë Jakova e shkroi në bashkëpunim me libretistin Llazar Siliqi dhe regjisorin e njohur shkodran Andrea Skanjeti, e që u vu në skenën e teatrit “Migjeni” të Shkodrës. Prenk Jakova ishte një kompozitor që shkroi me sukses romanca, kantata dhe këngë. Që në moshë të re, Prenka mori pjesë në jetën artistike muzikore të qytetit. Këtu ai bëri shkollën e parë të artit. Doli mësues dhe shkoi të japë mësim në shkollat e fshatrave të Shkodrës dhe të Mirditës, por nga të shkruarit e veprave muzikore nuk u nda asnjëherë.

Previous article“Rama e ka vendin në burg”, Berisha i përgjigjet akuzave të Gjiknurit: Agron Nezën s’e kam kushëri dhe nuk e njoh personalisht
Next article400 mijë euro ende “jetime”/ Gjykata merr vendimin për pastruesen “milionere” dhe të birin