Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka mohuar të gjithë zërat e mediave kohët e fundit të cilat janë shprehur se ai do të jetë në listën e kandidatëve për deputet të Partisë Socialiste në Durrës. Në një prononcim zyrtar për gazetën “Bulevard”, Dako ka thënë se të gjitha deklarimet e mediave janë të pavërteta dhe se ai do të respektojë votën e qytetarëve të Durrësit, të cilët i kanë dhënë një mandat katër vjeçar. “Ndihem mirë kur mediat më listojnë, aq më shumë në zonën e sigurisë së deputetëve të PS-së për Durrësin, por deklaroj me përgjegjësi të plotë se këto janë vetëm trillime mediatike dhe unë Vangjush Dako do të vazhdoj të jem kryetari i Bashkisë së Durrësit deri në fund të mandatit tim, pra deri në fund të vitit 2015” është shprehur Vangjush Dako për gazetën “Bulevard”. Ndërkohë ai e ka quajtur të gjithë fushatën e listimit të tij si një fushtë që ka në thelb të saj largimin e tij nga drejtimi i bashkisë dhe çusrjen e kësaj të fundit në zgjedhje të parakohshme. “E kuptoj shqetësimin e PD-së që ka katër mandate që nuk e fiton Bashkinë e Durrësit në përballje të drejtëpërdrejtë dhe në dy mandate jam unë personi që ja ka mohuar këtë mundësi, por jam i bindur se largimi im nga Bashkia e Durrësit do të ishte një prishje e kontratës me qytetarët, atyre që më dhanë mundësinë ta rikthej Durrësin nga një bastion i djathtë në një bastion të majtë dhe duke i premtuar qytetarëve se jam unë njeriu që i shërbej të gjithëve dhe jam unë njeriu që do ta bëj të mundur fitimin e mandatit të pestë si kryetar bashkie” është shprehur zoti Dako për gazetën “Bulevard”. Ndërkohë ai është shprehur se nuk do të kandidojë më për kreun e Bashkisë së Durrësit, pra duke mohuar një mandat të tretë, por ka deklaruar se edhe mandati i pestë do të ketë kontributin e tij që Durrësin ta qeverisë Partia Socialiste. “Nuk do të kandidoj për një mandat të tretë dhe kjo është krejt natyrshëm për formimin dhe filozofinë e Partisë Socialiste. Unë kam marrë dy mandate dhe pavarësisht që i përkas Partisë Socialiste, qytetarët që më kanë votuar janë edhe të krahut tjetër dhe aq më shumë janë pjesë e një elite që kanë parë tek unë filozofinë e qeverisjes dhe jo përkatësinë partiake. I premtoj socialistëve se do të jem pjesë e tyre , por i premtoj qytetarëve durrsak që jam drejtues i të gjithë banorëve të këtij qyteti” është shprehur z. Dako. Ndërkohë që z. Dako ka theksuar se është i hapur për të qenë pjesë e elektoratit socialist pas kryerjes së mandatit si kryetar bashkie dhe votës që ka marrë nga qytetarët e Durrësit. Ai është shprehur se është pjesë politike e Partisë Socialiste për më shumë ai është përfaqësues i votës së qytetarëve durrsak. “Do të jem kryetar bashkie deri në vitin 2015 dhe më pas nëse qytetarët e Durrësit, të cilëve i shërbej prej dy mandatesh do të më kerkojnë një status në pozicion tjetër, do t’i përgjigjem po me të njëjtin përkushtim” tha z. Dako. Lidhur me fushatën elektorale të zgjedhjeve të qershorit, Dako është shprehur se do të jetë pjesë e fushatës aktive të Partisë Socialiste si e vetmja alternativë që i serviret shqiptarëve për të bërë ndryshimin dhe aq më shumë për të larguar një kryeministër që ka kriminalizuar shoqërinë, biznesin dhe partneritetin me vendet fqinje. Do të jem pjesë e fushatës së Partisë Socialiste për ta mundur Sali Berishën dhe njeëzit që e rrethojnë atë në qeverisje si e vetmja mënyrë për të çliruar shoqërinë nga ngërçi që e ka mbërthyer. Po ashtu z. Dako ka shtuar se Partia Socialiste do të hetë forca fituese e zgjedhjeve të 23 qershorit dhe ai do të jetë pjesë e kontributit të fitores për të nxjerrë institucioni ku punon nga ngërçi që e ka futur qeveria e Sali Berishës.