Home Politike Ulsi Manja: Veting për noterët, përjashtohen ata që kanë lidhje me krimin

Ulsi Manja: Veting për noterët, përjashtohen ata që kanë lidhje me krimin

Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja deklaroi sot se qeveria ka kaluar projektligjin për noterinë që është një veting për noterët.

Pas mbledhjes së qeverisë, në një dalje për mediet Manja detajoi se bëhet fjalë për disa shtesa dhe ndryshime ne ligjin për noterinë që do i paraqiten Kuvendit.

“Është një nga nismat më të rëndësishme. Ky projektligj ka për qëllim forcimin e integritetit të profesionit të noterit dhe që lidhet me besueshmërinë e publikut te ky shërbim. Nëpërmjet këtyre ndryshimeve përcaktohen kritere të reja për futjen në profesionin e noterit dhe që kanë të bëjnë me mospërfshirjen në këtë sistem të personave që kanë lidhje apo kontaktet të papërshtatshme me krimin e organizuar ose personat e dënuar për kryerjen e veprave penale të rënda dhe këtyre kritereve të reja do t’i nënshtrohen edhe noterë që tashmë janë pjesë e shërbimit noterial nëpërmjet inspektimeve proaktive që do të ushtrojë ministria e Drejtësisë”, tha ai.

Manja, shtoi se “ndryshimet që miratuam sot vijnë edhe si përmbushje e rekomandimeve të lëna nga partnerët tanë ndërkombëtarë në kuadër të luftës kundër pastrimit të parave dhe masave kundër financimit të terrorizmit. Janë angazhime të qeverisë shqiptare që përmbushen plotësisht me ndryshimet që ne do t’i paraqesim kuvendit në lidhje me ligjin për noterinë”.

Në vijim, Manja shtoi se “në kriteret e reja që përcakton ligji, pjesë e shërbimit të noterisë, nuk mund të bëhen dhe nuk do të jenë as noterë që janë në listën e personave të shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadër të masave kundër financimit të terrorizmit dhe pastrimit të parave. Po ashtu, përcaktohen kritere të reja për pranimin në këtë profesion, siç janë kriteret e vendosura për pranimin e kandidatëve për qjyqtarët dhe prokurorët në shkollën e Magjistraturës. Po ashtu projektligji i ri përcakton të njëjtën procedurë dhe të njëjta kritere për heqjen e licencës dhe masave disiplinore si për qjyqtarët dhe prokurorët. Ndryshimet që ne do t’i paraqesim Kuvendit për ligjin për noterinë forcojnë integritetin e noterit , por dhe rrisin besueshmërinë e publikut te ky shërbim shumë i rëndësishëm për qytetarët”.

Në lidhje me pyetjen se a do të ketë një proces vetingu për noterët aktualë, Manja tha se “ndryshimet që propozohen sot, jo vetëm përcaktojnë kritere të reja për pranimin në profesionin e noterit, por as më shumë as më pak është një proces vetingu për noterët që sot janë në këtë shërbim dhe që kanë të bëjnë me verifikimin e kontakteve të papërshtatshme apo të lidhjeve me krimin e organizuar, personat e dënuar për vepra të rënda penale apo që janë pjesë e listës së personave që janë shpallur sipas legjislacionit në fuqi në kuadrin e masave për pastrimin e parave. Është veting për sistemin noterial në Shqipëri”.

Në lidhje me pyetjen se kush do ta bëjë Vetingun, Manja tha se ligji për noterinë, ka përcaktuar dhe mekanizmat e filtrimit të këtij shërbimi dhe është Ministria e Drejtësisë që nëpërmjet inspektimeve të planifikuara apo hetimeve proaktive që do ta bëjë filtrin e këtij sistemi.

Previous articleKush e fiton Serie A? Ja renditja përfundimtare sipas shkencës së futbollit
Next article“Mbreti” i Beratit që mori 2 vëllezër dhe i bëri të zgjidhnin se cilin do vriste