Home Ekonomia Ulja e numrit të bankave nuk e ka ndikuar treguesin kryesor të...

Ulja e numrit të bankave nuk e ka ndikuar treguesin kryesor të konkurrueshmërisë së tregut

Ulja e numrit të bankave në vitet e fundit nuk e ka ndryshuar shumë treguesin kryesor që mat konkurrueshmërinë e tregut bankar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, treguesi HHI (Indeksi Herfindahl-Hirschman) në fund të tremujorit të tretë ishte në nivelin 1500, po aq sa në të njëjtën periudhë të vitit 2015, kur nisi cikli i shitblerjeve brenda sektorit bankar shqiptar.

Indeksi HHI ndërtohet si shuma e pjesës së tregut, të ngritur në fuqi të dytë, të secilës firmë. Pragu poshtë të cilit një treg në teori pranohet si konkurrues është 1500. Në intervalin mes 1500 dhe 2500 tregu përkufizohet si me përqendrim të moderuar, ndërsa sipër nivelit 2500 përqendrimi konsiderohet i lartë.

Tregu bankar është një treg me barriera të konsiderueshme hyrëse, të lidhura me kërkesat e licencimit, rregullimit dhe përputhshmërisë dhe me nevojën për të investuar kapitale të mëdha. Për këtë arsye, numri i konkurrentëve potencialë mund të jetë i kufizuar, sidomos në vende me popullsi relativisht të vogël, si Shqipëria.

Pas vitit 2015, kriza nxiti një proces konsolidimi dhe përqendrimi të sektorit bankar në Shqipëri. Numri i bankave tregtare zbriti në 16 nga 12, pas shkrirjes së Veneto Banka me Intesa Sanpaolo, të NBG Bank me ABI Bank, të Bankës Ndërkombëtare Tregtare me Union Bank dhe daljes nga tregu me likujdim të Bankës së Kreditit të Shqipërisë.

Ky proces duket ende në vijimësi. Këtë vit u mbyll procesi i shitjes së Alpha Bank Albania te OTP, që pritet ta ulë numrin e përgjithshëm të bankave në 11 në fillim të vitit 2023. Ndërkohë, edhe Tirana Bank paraqiti një ofertë për blerjen e Raiffeisen Bank Albania, por, për momentin, grupi austriak e ka mohuar zyrtarisht shitjen e filialit shqiptar dhe ka konfirmuar angazhimin për të qëndruar në vendin tonë.

Në raste krizash, përqendrimi është një proces i zakonshëm në tregjet bankare, që ka si synim krijimin e bankave më të mëdha dhe më të forta financiarisht. Në teori, ulja e numrit të bankave mund të ndikojë në pakësimin e konkurrencës në treg.

Në praktikë dhe sidomos në momente krizash, ndodh më shpesh e kundërta, sepse bankat që dalin nga tregu nuk janë shumë konkurruese, ndërsa bankat më të mëdha që krijohen mund të jenë më solide, më të gatshme për të marrë përsipër rrezik, duke i dhënë më shumë shtysë konkurrencës.

Konsolidimi i sektorit bankar pjesërisht është nxitur edhe nga nevojat në rritje për investime të lidhura me teknologjinë, por edhe shtrëngimi i ndjeshëm i rregullimit bankar. Për bankat e vogla, investimi i kapitaleve të nevojshme për të qëndruar konkurrues në një mjedis të tillë bëhet gjithnjë e më i vështirë. /MONITOR

Previous articleVIDEO/ Ukraina pa energji elektrike, kirurgët kryejnë operacionin në zemër në gjysmë errësirë
Next articleGafa e Spahos: Gjithmonë kam vrarë veten. Spiropali: Aman se na duhesh