Home Maqedonia U zgjodh Kryeministri i ri i vendit, Zoran Zaev i dorëzon detyrën...

U zgjodh Kryeministri i ri i vendit, Zoran Zaev i dorëzon detyrën Kovaçevskit

Dimitar Kovaçevski ka marrë sot zyrtarisht funksionin e Kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, pas votimit në Kuvend një ditë më parë për krijimin e kabinetit të ri qeveritar.

Zoran Zaev i ka dorëzuar Kovaçevskit edhe zyrën e Kryeministrit. Në axhendën e sotme të Kryeministrit Dimitar Kovaçevski, është takimi me ministren gjermane për Evropë, Anna Luhrmann, ndërsa nesër do të takohet me Kryeministrin bullgar Kiril Petkov.

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, u votua në mesnatën e djeshme në Kuvend me 62 vota për dhe 46 kundër. Votimit i parapriu një debat dyditor që përfundoi të dielën para mesnate. Qeveria e re numëron 21 anëtarë; 17 ministra dhe katër zëvendëskryeministra. Lidhja Social Demokrate ka 12 anëtarë, gjashtë Bashkimi Demokratik për Integrim dhe tre partia Alternativa.