Home Kronika U kap me arsenal armësh dhe ‘shtëpi bari’ në Shijak, Krasniqi:...

U kap me arsenal armësh dhe ‘shtëpi bari’ në Shijak, Krasniqi: Kanabisi jo për grupet kriminale, lekët i dua për operacion! Armët i kam nga viti 1997

Ditën e sotme do të mbahet seanca për Fredi Krasniqin, i cili u arrestua pasi u kap me ‘shtëpi bari’ në Durrës.  Mësohet se Krasniqi ka mohuar se armët dhe kanabisin e kultivonte për llogari të grupeve kriminale.

Sa i takon armëve, Krasniqi ka deklaruar se i ka ruajtur që prej trazirave të vitit 1997. Ndërsa për kanabisin, 46-vjeçari ka deklaruar se e kishte mbjellë pasi i duhej që të fitonte para shpejt për shkak se nuk ka mundësi për të paguar një ndërhyrje kirurgjikale.

“Armët i kam ruajtur që prej kohës së trazirave që përkon me vitet 97’ dhe i kam ruajtur që në atë periudhë brenda një muri të dyfishtë. Bimët narkotike i kam mbjellë për të përfituar para të shpejta për shkak të disa problemeve shëndetësore dhe kjo ishte e vetmja mënyrë për t’ia arritur. Kam nevojë për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk mund ta përballoj koston në formë tjetër. Çdo impiant që është vendosur në shtëpi, është bërë nga unë dhe nuk ka financuar asnjë grup kriminal”, ka dëshmuar Fredi Krasniqi.

Hetuesit kanë dyshime të forta se pas këtij aktiviteti është i përfshirë një grup i strukturuar kriminal që operon në këtë zonë. Mësohet se janë të paktën 6 persona të tjerë të përfshirë në këtë grup, të cilët po mbahen në vëzhgim, identiteti i të cilëve mbahet i fshehtë për shkak të hetimeve.

Burime të Report Tv nga grupi hetimor bëjnë me dije se janë sekuestruar aparatet celular të të arrestuarit Fredi Krasniqi për të zbërthyer komunikimet e tij, për të shkuar drejt zbulimit të persona të tjerë të përfshirë si pjesë e grupit. Gjithashtu, armët e gjetura brenda banesës janë dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore për të verifikuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale dhe shpresat e hetuesve janë fokusuar tek përgjigjet e ekspertizës. Selman Krasniqi, vëllai i të arrestuarit Fredi Krasniqi, i cili është shpallur në kërkim, sipas sistemit TIMS, rezulton të jetë në Itali. Sipas policisë ai ka qenë ndërmjetësi për të gjetur tregun e shitjes.

Si ishte përshtatur vila për kultivim kanabisi
Burime nga policia bëjnë me dije se ‘shtëpia e barit’ kishte kohë që ishte ndërtuar dhe ishte me teknologji moderne. Çdo bimë kishte dritën e vet dhe termostat për gradim temperature. Po ashtu dritaret ishin të mbyllura me gips që të ruhej temperatura e duhur. Energjinë elektrike e kishin marrë direkt në një kabinë 150 m larg banesës dhe kablli ishte i gjithi nëntokë. Ishte lidhje e paligjshme. Ndërkohë që funksiononte edhe lidhja legale.

Në katin e tretë dhe të katërt të një vile trekatëshe në fshatin Sallmone, u sekuestruan nga policia 444 rrënjë kanabis, si edhe një arsenal armësh që dyshohet se përdoreshin nga grupet kriminale. Në banesë është gjetur edhe një arsenal armësh, 10 kallashnikovë, 1 pushkë, 1 automatik dhe granata, të cilat dyshoheshin se përdoreshin nga grupet kriminale. Arsenali i armëve ishte fshehur brenda një muri të dyfishtë brenda banesës.

Çfarë u sekuestrua në ‘shtëpinë e barit’
444 rrënjë kanabis
222 llamba elektrike
Pajisje që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike
10 kallashnikovë
1 pushkë
1 automatik shars
Granata dore
1 hark luftarak
1 jelek anti-plumb
1 palë dylbi
Municion luftarak

Previous article“Sa ka ndikuar divorci i prindërve?”/ Rrëfehet Amosi: Nuk dua të them se e kam shijuar, por thjesht…
Next articleShkëlzen Berisha thirret në SPAK