Home Kronika U arrestua për vjedhjen e tapetit dhe një palë atleteje e përfundoi...

U arrestua për vjedhjen e tapetit dhe një palë atleteje e përfundoi në koma, ndërron jetë 27-vjeçari Jani Rustemaj

Jani Rustemaj, 27-vjeçari që ndodhej prej një muaji në koma në spitalin ‘Nënë Tereza’ ka ndërruar jetë pasditen e kësaj të shtune. Ai shfaqi probleme shëndetësore pasi u arrestua për vjedhjen e një tapeti dhe një palë atlete më 12 prill. Ai njihej si përdorues i lëndëve narkotike dhe sipas kartesës, mjekët i kanë dhënë metadon për qetësim pasi ka nisur të ndihet keq prej varësisë nga kokaina.

Ende është e paqartë në rast se ka ndikuar mbidoza e metadonit apo diçka tjetër që përfundoi në gjendje kritike në reanimacionin qendror të Qendrës spitalore Nënë Tereza.

Sipas një raporti të publikuar nga Komiteti i Helsinkit thuhet se 27 vjecari, përdorues, droge, pas shqetësimeve të shfaqura ka marrë trajtimin e parë një ditë pasi është futur në Bllokun e sigurisë, duke u trajtuar me metadon. Por në kartelën mjekësore të të riut, nuk rezulton të jetë kryer asnjë analizë mjekësore për gjendjen e tij dhe për vijimin e mjekimit. Ndërsa pasi ka vijuar të rëndohet është trajtuar me medikamentin diazepam, por pa specifikuar dozën dhe pse u rekomandua ky mjekim.

Por çfarë ndodhi që e çoi të riun në këtë gjendje?
Jani Rustemaj u arrestua më 13 prill. Sipas policisë së Tiranës, më 14 prill, gjatë qëndrimit në bllokun e sigurisë në rrugën “Mine Peza” ka shfaqur probleme shëndetësore. Është njoftuar shërbimi i emergjencës mjekësore, – thotë policia – të cilët janë paraqitur në ambientet e Bllokut të Sigurisë dhe pas ndihmës mjekësore të dhënë, gjendja e tij është përmirësuar”.

Sipas kartelës mjekësore të riut i është dhënë metadon për qetësim, pasi prej varësisë nga heroina ka nisur të ndihet keq. Një ditë pasi dyshohet të ketë pirë metadon, më 15 prill Jani Rustemaj është dërguar në gjykatë, ku pavarësisht gjendjes shëndetësore që kishte kaluar, togat e zeza i vendosën masën e sigurimit personal të arrestit me burg. Më 16 prill, 27-vjeçari është dërguar në paraburgim te 313-a, por autoritetet e burgut, “nuk kanë pranuar që ta marrin në dorëzim – thotë zyrtarisht policia- për shkak të mbingarkesës në këtë institucion dhe në këto kushte ai është rikthyer dhe vendosur përsëri në Bllokun e Sigurisë Tiranë”. Më 17 prill i riu i arrestuar ka shfaqur përsëri shqetësime shëndetësore dhe pas ardhjes së emergjencës shëndetësore është transportuar në spitalin “Nënë Tereza”, ku ndodhej në gjendje kome derisa ndërroi jetë sot ditën e sotme.

SOURCEShqiptarja.com
Previous articleShqipëria, e treta në botë dhe e para në Evropë për rritjen e turizmit krahasuar me para pandemisë, Rama: Një sezon fantastik turistik na pret
Next articleÇfarë po ndodh në Beograd? 1 milionë njerëz ‘pushtojnë’ sheshet