Interi fitoi 1-2 me Fiorentinën në finalen e Kupës së Italisë, duke marrë për herë të nëntë këtë trofe. Zikaltërit ia dolën të mbanin trofeun, teksa tani vëmendja është në finalen e Champions League, më 10 qershor në Stamboll kundër Manchester City.
Pas ndeshjes trajneri Simone Inzaghi u shpreh i lumtur për arritjen e të tijve.
“Jam i lumtur sepse fituam Kupën që donim. Fiorentina është një ekip me cilësi dhe na ka shkaktuar shumë probleme. E nisëm shumë keq, diçka e rrallë për ne, por djemtë reaguan, qëndruan në lojë dhe e kthyen rezultatin”, theksoi trajneri.
Sa i takon të ardhmes, Inzaghi tregoi se ende nuk e ka një vendim.
“Ka dy ndeshje përpara në Serie A, finalja e Champions në Stamboll dhe ne duam të vazhdojmë këtë sezon të shkëlqyer që po kalojmë”, tha Inzaghi.
Nga ana tjetër, heroi zikaltër tha se tanimë kërkon që të fitojë trofeun e Champions League në Stamboll. Lautaro Martinez shënoi dy herë në “Olimpico”.
“Doja të ngrija një kupë tjetër, kjo është ajo që ka të bëjë sporti, fitorja. Ne filluam keq në 15 minutat e para, por më pas gjetëm mënyrën e duhur dhe arritëm ta kthenim lojën. Jam shumë i lumtur që e kthej këtë trofe në Milano, ose më mirë ta mbajmë atë, duke parë se aty ishte vitin e kaluar. Dua të vazhdoj të jap kontributin tim për Interin, sepse kjo është ajo që ka rëndësi, të fitojmë edhe trofeun tjetër”, tha mes të tjerash Lautaro.