Eksplozivi që shkaktoi vdekjen e 27-vjeçarit Erion Rexhepi më 30 dhjetor ishte për Mikel Harizajn, biznesmenin nga Vlora që ra pre e atentatit mëngjesin e 7 janarit, në të cilin përfundoi i plagosur bashkë me kamerierin Serin Duni që po e çonte në shtëpi. Por, makina ku ishte vendosur tritoli më 7 janar, rezulton të jetë e njëjta në të cilën ishte edhe Rexhepi më 30 dhjetor. Mjetit ‘Mazda’ ngjyrë blu iu vendos tritoli më 30 dhjetor me synimin e qartë për të vrarë Harizajn, por atë ditë, për fatin e mirë të shënjestrës, por jo të 27-vjeçarit të ndjerë, mjeti përfundoi në duart e gabuara.
Makinën ‘Mazda’ e kishte marrë vjehrri i Harizajt, emri i të cilit nuk bëhet publik për mediat. Në momentin që vjehrri i Harizajt ka ulur shpejtësinë e mjetit e ka frenuar, tritoli ka rrëshqitur nga vendi ku ishte vendosur e ka rënë në tokë. Pikërisht në këto çaste është parë nga Rexhepi, i cili nga kurioziteti e ka marrë lëndën plasëse në dorë e i shpërthyer. Për pasojë, 27-vjeçari humbi jetën, por vdekja e tij mbeti mister deri në momentin që e njëjta makinë shpërtheu me tritol në Tiranë.
Rreth orës 02:00 të mëngjesit të 7 janarit, biznesmeni Harizaj me origjinë nga Vlora mbylli lokalin e tij në Tiranë dhe u nis të dërgonte kamerierin Serin Duni në shtëpi. Teksa dhëtonte në Unazë, tritoli shpërtheu dhe la të plagosur Harizajn e Dunin. Të dy u dërguan në spital dhe aktualisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Në këtë mënyrë, Harizaj u shpëtoi sërish atentatorëve, ndërsa Prokuroria ka zbardhur vrasjen e fatkeqit Rexhepi.