Home Kulture Tre muze po i nënshtrohen një rikonceptualizimi të plotë të ekspozitave muzeale

Tre muze po i nënshtrohen një rikonceptualizimi të plotë të ekspozitave muzeale

Muzetë Etnografikë në Krujë dhe Kavajë, si dhe Muzeu Arkeologjik në Durrës përveç restaurimit, po i nënshtrohen një rikonceptualizimi të plotë të ekspozitave muzeale për t’i bërë ekspozitat më të aksesueshme dhe ndërvepruese. Kjo bëhet me dije në faqen e programit “EU4Culture Albania”, ku para disa ditësh shprehej se edhe Torra Veneciane së shpejti do të çelë dyert. “Torra Veneciane në Durrës është në pritje të pajisjeve përfundimtare multimediale dhe së shpejti do të çelë dyert si Qendra e parë e Interpretimit të Trashëgimisë, ndërkohë që po hartohen planet e biznesit dhe të menaxhimit të trashëgimisë kulturore për funksionimin më të mirë të objekteve të sapo restauruara”, thuhet në faqen e “EU4Culture” në Facebook. Përgjatë javës së Evropës dhe të OKB, sipas “EU4Culture” u zhvilluan dhe panaire të trashëgimisë kulturore, ku pati kurse dhe u shpjegua dhe puna në restaurime. “Ishim të lumtur që mirëpritëm shumë familje dhe fëmijë gjatë Panaireve të Trashëgimisë Kulturore përgjatë javës së Evropës dhe të OKB-së, duke ofruar kurse tradicionale të qeramikës, thurjes, qëndisjes dhe mozaikëve si dhe duke u shpjeguar për punën e “EU4Culture” në restaurimin dhe rigjallërimin e monumenteve kulturore të dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019”, thuhet në faqen e programit. Viti 2022 ka qenë i ngarkuar për “EU4Culture” të financuar nga BE dhe zbatuar nga UNOPS në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. “EU4Culture” bën me dije se u përfundua punën në kishën e Shën Ndout në Rodon, filloi restaurimi i objekteve të reja, si dhe hapën dy thirrje për propozime për grante. Edhe këtë vit do të vazhdojë puna me restaurimin e objekteve të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në vendin tonë.

Previous articleMero Baze: “RD” lindi si shpresë për shtypin e lirë, por u kthye në kobure personale të Berishës
Next articlePak kohë larg zgjedhjeve, Ylli Manjani ‘shpërthen’ ndaj qytetarëve për shitblerjen e votave: Faji kërkohet edhe te faqezinjtë