Home Kulture Tre makete tredimensionale të siteve Koman, Orikum dhe Apoloni prezantohen në Shkodër

Tre makete tredimensionale të siteve Koman, Orikum dhe Apoloni prezantohen në Shkodër

Prezantimi i tre maketeve tredimensionale të siteve arkeologjike, Koman, Orikum dhe Apoloni u bë të martën në mjediset e Muzeut Historik Shkodër. Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër ka publikuar një material me foto gjatë prezantimit, ku thotë se qasja për ti sjell sitet arkeologjike, nga terreni në atë virtual, me këtë metodologji inovative synon për ti prekur nga afër këto site, gjatë vizitës në muzetë ku këto makete do të  ekspozohen.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të projektit “Nga terreni në ambientin virtual! Për një histori të vendbanimeve arkeologjike, Koman, Apoloni, Orikum, nga veriu në jug të Shqipërisë, të shpjeguar me teknologji inovative!”, financuar nga Ministria e Kulturës, në kuadër të programit Art-Kulturë dhe Trashëgimi Kulturore 2020, zbatuar nga shoqata italiane “COSPE” në partneritet me shoqatën “ArkeoDrin”, Misionin Arkeologjik Francez e Drejtoritë Kulturore përkatëse të Shkodrës e Vlorës, si edhe me materialet e ekspeditave shkencore të huaja dhe shqiptare. Bëhet me dije se kjo mënyrë prezantimi është një risi në kuadrin e përgatitjes së këtyre modeleve prezantuese në Shqipëri, dhe që përdoret për herë të parë për këto site arkeologjike. Realizimi është bërë i mundur nga bashkëpunimi me arkeologët Etleva Nallbani, Saimir Shpuza, Ornela Durmishaj, Helidon Sokoli, Kriledjan Çipa, si edhe të tjerë arkeologë të huaj, pjesë e misioneve arkeologjike në Shqipëri.

Maketi i vendbanimit të Komanit do të qëndrojë në Muzeun Historik të Shkodrës, maketi i Orikumit pranë Muzeut Historik të Vlorës, dhe maketi i Apolonisë në muzeun e parkut arkeologjik të Apolonisë.  Vendbanimi i Komanit është shpallur zonë arkeologjike, duke zyrtarizuar mbrojtjen me ligj. Por dhe parku arkeologjik i Orikumit është një destinacion me rëndësi, po ashtu me rëndësi për vlerat e tij në fushën e trashëgimisë është dhe parku i Apolonisë, shpallur monument kulture që në vitin 1948

SOURCEbulevard news
Previous articleKorçë/ Shpërthen bombola e gazit në një banesë në Voskopojë, 3 të plagosur
Next articleProtestë në Tiranë: Jo dhunës ndaj fëmijëve në Shqipëri, qeveria të marrë masa