Home Opinion Transferimi i vlerave nga këmbimet monetare tek ekonomitë e “errëta”

Transferimi i vlerave nga këmbimet monetare tek ekonomitë e “errëta”

Nga Pol Milo

pol miloNdërkohë që në shkollën e Ekonomistëve krijohen e thellohen diskutime dhe ide mbi botëkuptime të ndryshme pikëpamjesh dhe mendimesh, në shkollën Monetariste duket sikur gjërat funksionojnë më qartë në lidhje me çështjet e monedhës, krijimin dhe funksionet e saj. Ajo që u bë shkak, si fillesa e një habie, dukej të ishte vetë interesi mbi paranë, apo siç u quajt ndryshe “të bësh para nga paraja”. Por edhe ky koncept u tejkalua. Problemi i dukshëm real i dy shekujve të fundit është shtrirë vazhdimisht mbi lidhjen funksionale të parasë (si njësi matëse, si mjet shkëmbimi dhe si ruajtës i vlerës në kohë) me tërësinë Ekonomike të prodhimit dhe shkëmbimit të Vlerave. Në majën e funksionalitetit ekonomik duket se vazhdimisht bashkëveprojnë disa parime të drejta. Mbi bazën e këtyre parimeve merr kuptim ajo që quhet Ekonomi Normative(1). Ekonomia Normative përfshin elementë të etikës dhe të normave të së drejtës, të cilat i kërkojnë zgjidhjet e tyre më tepër nëpërmjet debateve politike sesa mbi analiza të mirëfillta ekonomike. Jashtë Ekonomisë Normative një marrëdhënie tjetër funksionon paralelisht prej kohësh. Ajo është një Ekonomi që duke iu përgjigjur pytjeve “çfarë?”, “si?”, “kujt?”, merret më tepër me probleme të llojit jo-burokratik, lidhur me fenomene si; aktivitete të tregtisë së paligjshme, korruptive, klandestine, trafikime, mashtrime, vjedhje, shpërndarje, grabitje, shfrytëzime, deri- deri në aktivitete kriminale. Këtë lloj Ekonomie në funksion shpesh here mund ta gjejmë të etiketuar si Ekonomi e “Zezë” apo Ekonomi e “Errët”. Kjo lloj ekonomie është një shkallë akoma më e thellë se Ekonomia “Underground”(2) ose “nëntokësore” e cila merret me shmangien nga formaliteti, deklarimeve ligjore, pageses se taksave, detyrimeve, evazioneve fiskale, kuponave tatimorë, etj. Çfarë mund të vërejmë te mënyra se si krijohen lidhjet e funksioneve në Ekonomitë Normative, Ekonomitë “Underground” dhe Ekonomitë e “Erreta”? Çfarë rroli luan paraja në këto lidhje? Le të kthehemi një moment pas në kohë dhe të rindërtojmë funksionin e drejtë të parasë. Paraja merr kuptim kur me të kryhet një pagesë apo shkëmbim, kur ajo përdoret për të blerë gjëra(3). Specializimi ka mundësuar që njerëzit të përqendrohen në punë të veçanta apo specifike. Nëpërmjet parasë njerëzit shkëmbejnë produktet e punës së tyre me sasinë e madhe e të pafund të të gjithë të mirave dhe shërbimeve të prodhuar nga specializimi i njerëzve të tjerë brenda bashkësive të tyre, qyteteve, shteteve, kontinenteve rreth e qark botës. Paraja lindi si mjet shkëmbimi midis dy prodhues Vlerash, pra dy prodhues që duan të shkëmbejnë prodhimet apo/dhe shërbimet e tyre, të kthyer apo të njësuar në Vlerë. Principi i këmbimit është “VLERA”. Pa “Vlerën”, këmbimi duket të jetë i një natyre tjetër, të pakuptimtë nga ajo fillestare. Ekonomitë e “Errëta” arrijnë të futen tërësisht brenda funksionit dhe rregullsisë monetare. Atëherë si është e mundur që transferimi i parave për qëllime të “Errëta” bëhet edhe pa qenë mbartës i kuptimit të “Vlerës” në vetvete? Ka apo nuk ka kuptim “Vlera” në keto shkëmbime? Patjetër që ka. Por si mund të prodhojë Vlerë një shkëmbim i “Errët” që kryhet nëpërmjet këmbimit monetar? Le të marrim një shembull. Hajduti i famshëm dhe i mirë Robin Hood vodhi një herë një qese me para që më pas ia shpërndau të varfërve. Çfarë vlere mbartin dhe përfaqësojnë ato para të vjedhura? Jo në kuptimin moralist(4), por në kuptimin e krijimit të vlerës? A mund të kishin kuptim ca para në duart e një hajduti që nuk prodhoi asnjë vlerë në këmbim të tyre? Nuk u prodhua asnje vlere. Ai mori diçka me vlerë pa krijuar vetë vlerë, por që këtë vlerë dikush tjetër e kishte grumbulluar më parë. Në rastin e Robin Hood-it ai i shpërndau sërisht pa marrë asgjë në këmbim. Por ai edhe mund ti kishte këmbyer serisht ato. I njëjtë është dhe funksioni i këmbimit të Vlerës në Ekonomitë e “Errëta”.
Me të njëjtin arsyetim po të hetojmë në brendësi natyrën e Vlerës që transferohet nëpërmjet parave gjatë mardhenieve në Ekonomitë e “Errëta”, do të vihet re se këmbimet monetare bartin vlera të krijuara me parë, të cilat janë pjesë apo derivatë të vlerave që dikush tjeter i krijoi dhe grumbulloi. Edhe pse parimisht transaksionet monetare në Ekonomitë e “Errëta” nuk duhet të përmbajnë vlera, ato i nënshtrohen rregjimit të shkëmbimit të vlerave. Ekonomitë e “Errëta” funksionojnë njësoj si Ekonomitë e shkëmbimit të vlerave, duke i njësuar, ruajtur e shkëmbyer vlerat me para. Kjo ndoshta është edhe fatkeqësia e vlerave. Gjithsesi vlerën që bartin këto shkëmbime e kanë krijuar të tjerë më parë. Kjo mardhënie është brenda funkionit të të njëjtit sistem monetar, duke iu nënshtruar ligjeve dhe rregullave monetare dhe sipas arsyetimit të mësipërm nuk duhet të kishin sjellë Vlera në transaksione. Dikush mund të mendojë se paratë në Ekonomitë e “Errëta” nuk do duhet të kishin kuptim pa sistemin e vlerave. Por në zinxhirin e tyre të gjatë ato nuk mund të izolohen të veçohen pasi nuk mund të ekzistojë një mekanizëm që të ndajë apo të shkëpusë transaksionet nga vlera. Kështu që asnjëherë nuk mund ndërpritet trasferimi i Vlerave që padiskutim krijohen nga prodhuesit e vërtetë të cilët i shkëmbejnë me njëri-tjetrin nëpërmjet bazës monetare. Në rastet kur disa individë zotërojnë më shumë mjete monetare sesa aftësi prodhuese të Vlerave, atëherë luhatshmëria e sjelljes(5) së tyre do jetë më e lartë se e atyre që janë prodhues të vlerave, por që bazën monetare mund ta kenë të përafërt të barabartë apo më të vogël sesa Vlerat që prodhojnë.
Kujdes: Nëse lekët që qarkullojnë nëpër xhepat tanë janë pasojë e Vlerës së krijuar nga specializimi i punës sonë, kjo jo për të gjithë njerëzit mund të jetë njësoj. Atëherë do të kuptoni se luhatshmëria e sjelljes së tyre, do të jetë më e lartë.