Home Sport Topçiu zbardh presionet: Po s’votuat si duhet, do ikni nga puna ju...

Topçiu zbardh presionet: Po s’votuat si duhet, do ikni nga puna ju dhe familjarët

FSHF zhvilloi një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, ku mes të tjerave drejtori juridik i institucionit të futbollit, tregoi presionet që po i bëhen nga kryebashkiakët antarëve të futbollit për të votuar në mënyrë të komanduar.

“Në Asamblenë e Përgjithshme të Shoqatës Rajonale të Futbollit Elbasan, ku unë isha i pranishëm, për fat të keq isha prezent edhe gjatë një sulmi fizik dhe psikologjik që ju bë anëtarëve të Shoqatës para, gjatë dhe pas mbledhjes. Ata ishin thirrur në zyrën e kryetarit të Bashkisë, të gjithë ata që punonin në arsim, duke u kërcënuar se nëse nuk merrnin vendime sipas udhëzimeve, do të vuanin pasoja me largim nga puna: ata vetë dhe të afërmit e tyre.”

Më tej drejtori juridik tregoi: “U ishte dhënë edhe një fletushkë me instruksione se pse ata nuk duhet të vendosnin dje lidhur me përfaqësuesit e tyre në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF. Edhe pse nën presion, ata u ndërgjegjësuan që kur ke përballë dy njerëz: ku njëri të kërcënon dhe tjetri të shtrin dorën për bashkëpunim, gjithmonë i duhet dhënë dora të dytin. Me kurajo dhe shumë guxim, ata vendosën t’i zgjidhnin delegatët që do t’i përfaqësonin.”  

Në përfundim të fjalës së tij, Topçiu theksoi se: “Kujtdo që i ka vajtur mendja për ta uzurpuar apo çliruar futbollin, varet si e sheh, mesa duket i mungojnë numrat për ta arritur këtë qëllim. Në mungesë të numrave kanë zgjedhur të bëjnë veprime të dëshpëruara juridike. Edhe ata që kanë votuar pro janë detyruar të paraqiten përpara një noteri në Elbasan, duke ndryshuar në një farë mënyrë vullnetin e tyre.”