Home Letersi Tjetërsimi

Tjetërsimi

Po t’ u shkosh vizitë xhuxhëve, do të të shtrembërohet shpina. (Stanislav Leku) 

bedri tahiri 20Nga Bedri Tahiri / Qysh kur qe i vogël fare, ende pa vajtur në shkollë, i pëlqente të rrinte në odën e tyre të vjetër prej guri. Aty kënaqej më shumë se gjetkë. Llafe e muhabet deri pas mesnatës. Kjo ngjiste edhe në odat e tjera të katundit. Ku vinte ndonjë mysafir, aty grumbulloheshin që të gjithë. Interesant, kurrë nuk pati nevojë për ndonjë lajmërim të veçantë, e merrnin vesh sa e shihnin oxhakun duke tymuar. Shakaxhiu kryesor, plaku me plagë në shpatullën e djathtë, që i kishte shpëtuar masakrës makabre të Tivarit, e bënte natën pesë minuta. Veç duhej ta mbaje fort barkun me duar, se mud të ngelje pa trohë fryme. Ani, kur fillonte loja filxhanash, shoqëruar me këngët shpotitëse- humoristike, këndezat i gjenin zgjuar. Për të qenë, dashurinë për odat e burrave, ia kishte ngjallur gjyshi, i cili e donte si sytë e ballit. Edhe fëmijë të tjerë kishte në atë shtëpi, por këtë e kishte joshur si qengjin manar. Që kur i mori këmbët dhe zuri të bëlbëzonte, nuk e largoi nga vetja. Me të binte e me të zgjohej. Sheqerkat laramanë dhe gjërat e tjera ushqimore ia ruante në dollapin bri oxhakut, që e mbante nën dry. -E kam këlysh për qejfi!- u thoshte me plot gojën të gjithë atyre që i jepnin vërejtje se po e llastonte djaloshin. Edhe gjatë shkollimit e tërhiqte ndeja në odën, që tashmë e kishin rregulluar për shtatë palë qejfe, sa i kishte vajtur nami larg e larg. Aty vinte e kush nuk vinte. Për qejf e për zor. Odë me oxhak më, siç u thoshin konaqeve të hapura për çdokënd, natën e ditën. As bilbili nuk i mungonte. Gjyshi, një babagjan sederli, një kokë katërqind derhemëshe, me mustaqet vesh më vesh e me plisin e bardhë dëborë, ulur këmbëkryq në postaçinë e ogiçit galan, ia shtonte hijeshinë vendit. Kur oda mbushej përplot mysafirë, vendi i djaloshit ishte mbi parmak apo trapazan, siç i thoshin ndryshe. Aty, zakonisht, e kishin vendin fëmijët, por jo të gjithë. Kuptohet, ajo e drejtë u takonte vetëm atyre më të mirëve, më të dëgjueshmve, atyre që ishin marifetli dhe dinin edhe të shërbenin si duhet. Ta meritoje atë vend, duhej të ishe i shkathët si drugëza. A kishte më zor se sa me ua ndez cigarën pleqve me mashë. Gaca duhej kapur tërë kujdes. Po të shtrëngohej fort, ajo therrmohej e binte në cergën e dhintë a në prehërin e njerëzve, po të mbahej lirshëm, prapë të shpëtonte. Duhej mbajtur tamam e me karar që të dilje faqebardhë. Çudi, aty mësonte gjëra që as në shkollë nuk i dëgjonte. Rrëfimet e qeta e të kthjellta bilur të atyre burrave namusli për të bërat e të parëve tanë dhe historinë kombëtare, i nguliteshin në kokë si sqeparë të mprehtë. Ato plotësoheshin më këngët e gjalla burimore të rapsodëve eruditë. Trimat e vendit me heroizmat e tyre mahnitëse i faniteshin para syve si të gjallë. Një natë qe zgjuar jerm dhe kishte kërkuar një pushkë për t’i vajtur në ndihmë Azem Galicës të rrethuar në kullë… Ky do të bëhet njeri i madh,- logjikonte plaku me vete dhe zemra i bëhej mal nga entuziazmi ngazëllyes. Mirëpo, ç’e do të shkretën, kur jeta hileçare na vështronte me syrin e njerkës shpirtzezë. Ngjarjet u rrokullisën këndejpari si ortekët përmbytës. Gjakpirësit mizorë, ardhur nga anë e botës, sorrollateshin lirshëm mbi trojet tona të stërlashta arbërore. Çdo shkëndijë drite shuhej që pa dalë. Lulet e rinisë veniteshin ende pa çelur në beharin e lumturisë. Lubia shumë-krerëshe, e quajtur “ushtri popullore”, zu t’i gllabëronte zogjtë e vet. Pjellë e dreqit. Kurrë nuk qe jona, por ashtu shtirej faqe botës. Ama, tashmë sikur po e çirrte maskën dhe po e zbulonte fytyrën e vërtetë. Arkivolet e mbyllura hermetikisht mbushnin tokën tonë të larë me gjak e lot. Dhe, rënkimet e saj mbytëse nuk po i dëgjonte askush. Mobilizimet e dhunshme nuk po ndaleshin dot… -Jo, më nuk do t’i shërbëjmë ushtrisë që na vret!- oshëtinë fuqishëm fushat e malet gjithandej Kosovës së martizrizuar. Dhe, shumë të rinj shqiptarë, kishin ndarë mendje që të mos u përgjigjeshin ftesave të rekrutimit në ushtrinë vrastare serbosllave. -Gjysh, më ka ardhur ftesa për ushtri, por nuk do të shkojë kurrë!- u shpreh Petriti, më të hyrë në odë, natën që u kthye, më vonë se rendom, nga qyteti. Plaku ra në mejtime të thella. Ia hodhi një sy kujdesshëm që nga këmbët deri tek koka dhe nuk foli fare. Nxori kutinë prej bakfani e zuri ta mbështjellë me naze një cigare me duhanin ngjyrë këmbësokoli. Gishtat tërë nyje, si dru i thatë thane, nuk po e dëgjonin si herave të tjera. Tek kur fjollat e tymit sajuan rrath mjegulle mbi kokëne tij, i erdhën ca mendime të idhëta pelin. Ç’t’i thoshte i ngratië! Nuk kishte kaluar java e plotë nga varrimi i djalit të hasretit në lagjen e tyre. E sollën dy oficerë serbë dhe nuk lejuan të hapnin arkivolin me një dritare të vogël, nga mund t’i shihej vetëm fytyra me një buzëqeshje të vrarë djaloshare. Ka bërë vetëvrasje! Ky ishte arsyetimi i tyre banal, para se të iknin në theqafje. Kuja dhe vaji i shtatë motrave të të vrarit ende po ia çukisnin kokën që po i rëndonte si rrotë mulliri… Sakaq i solli nëpër mend edhe kohët e shkuara. Secila më e zezë së tjetra. Pushtues të ndryshëm bezdisën prore këto troje të begata stërgjyshore. Të gjithë zullumçarë të pashpirt. Ama, të t’i marrin djemtë ushtarë e të t’i vrasin mizorisht e pabesisht, kjo nuk kishte ngjarë asnjëherë. Edhe vetë kishte qenë nizamë shtatë vjet të zeza dhe kishte përjetuar e ç’nuk kishte përjetuar, por vaki të tilla nuk ishin parë e dëgjuar… -Hiç mos shko, as mos e luaj këmbën!- u kujtua t’i përgjigjej nipit që ende kishte ngelur në këmbë si i përhumbur. -Do të dalë jashtë, se këtu nuk më lënë rehat bishat,- ia priti Petritii, duke u ulur në drurin e çergës, afër gjyshit të shqetësuar, i cili nuk po e merrte veten dot. Ai sërish u krodh në ca mejtime të heshtura. Thithja me një afsh të shtuar e qelibarit, ia vënte në pah edhe më mollëzat thatuke, me ato gropëzat e thelluara, si lugje të mnershme greminash të pafund. Ditën kur vendosi t’ua lënte shëndenë, Petrit Shkëmbin e kapi një sëkelldi sfilitëse saqë nuk po mund të bënte ballë për të hyrë në odën që aq shumë e deshi. Nuk i besonte vetes. Sigurisht, do ta tradhtonin ndjenjat. Disa herë i shkoj mendja të ikte pa e takuar gjyshin. Ah, jo, ore jahu, ajo nuk guxonte të ndodhte. Ai nuk e meritonte një gjë të tillë. Zemra e plakut do të plaste posa ta merrte vesh shkuarjen e tij. Do ta groposte për së gjalli bablokun zemërmirë. Pasi e mlodhi veten, e bëri zemrën gur dhe i ra bram derës. -Gjysh… – Hajde zogu i gjyshit, hajde!- foli më zë të çjerrur plaku, duke i zgjatur drejt tij duart që i dridheshin si thupra në ujë. -Të kuptoj fort mirë se je i detyruar të ikësh jashtë dhe nuk të hidhërohem. Katilat sojzinj, kështu po na e shkatërrojnë vendin dhe nuk po na lënë të shohim ditë të bardhë. Ah, dalshin fare, o Zot! Shko, shko, se kjo nuk do të zgjasë shumë, nuk e kanë të gjatë qafirat. Nuk do të shkojë larg e do rrezatojë dielli edhe për ne. Kjo që po bëjnë të mallkuarit është parakobi i tyre, dhe, shpejt do ta hanë kokën e vet si qoftëlargu smirak. Veçse, vëri gisht kokës dhe kahdo që të shkoshë, një gjë mbaje vath në vesh: Vendin tënd mos harro! Traditat e bukura kombëtare mos i ndrysho! Kjo është e gjithë meselja. Gjakun e pastër arbëror mos e përziej me asnjë tjetër! Vetëm ashtu, i pastër si loti, mund të përballosh e të qëndrosh ai që je: Shqiptar! Përndryshe, të mori lumi.Hasmi ynë shekullor këtë e dëshiron. Edhe më parë pati provuar të gicte pahetueshëm etnosin tonë. Përmes vajzave të përzgjedhura përpiqeshin të na turbulluar mendjet. Ndonjë i pakurrizor edhe u mashtrua. U zezuan, kryesisht, ata që lakmonin karrierën. Dhe, qe besa, ia panë sherrin. Sot kanë mbetur keq, deledash, as qen as langua. Të mjerë fare. ë shtë dëgjuar shpesh se filan djali e mbyti babanë. Ore niposhi im, djali i vërtetë kurrë nuk ço dorë në të atin. Gjaku gjakun nuk e tret. Ai duhet të jetë melez i përzier që mumd të bëjë aso marrëzirash. Pra, kujdes! Asgjë nuk të bënë plumbi, karshi përzierjes së gjakut. Ajo është një bombë e kurdisur që pëlcet më vonë. Plasja e saj të shkatërron më rrënjë si damllaja.. – O Petrit, hajde se u vonove!- erdhi një zë i trashë burri nga jashtë. Plaku, ashtu gërrmuçur e sypërloshur, e përcolli deri te dyert e oborrit. Pasi ia dha një gllënkë ujë, ashtu veprohej me kurbetçarët që t’i tërheqte malli i vendlindjes, e përqafi përmallshëm dhe, më ngashërim të mbledhur lëmsh, mezi arriti t’i thoshte: -Mos i harro porositë! Petrit Shkëmbin në mërgim e përcolli një fat tejet mbrapshtan. Rravgimet tej e tej metropoleve perëndimore, mbushur me të papritura e mistere, ia humbën torruan. As dy ditë nuk arrinte t’i bënte në të njëjtin vend. Odisejada e tij marramendëse e turrevrapshme gjithandej globit, më në fund, ia hodhi me të pabesë… Fjalët e gjyshit i rikujtoi shpeshherë. Veçan në fillim, ia zukatnin trurin si bletët brenda zgjoit. Por, kot. Valët e rrëmbyeshme të së keqes e përplasën pamëshirshëm tatëpjetë shkëmbinjve përplot humnera. Për ta mbijetuar atë kalvar degdisës duhej përshtatur si kameleoni. U martua me një plakushë trashulaqe, të divorcuar për të satën herë e që nuk lindte fëmijë. Ajo mordje e zezë, me rrënjë të pista cerberiane, në vend të fëmijës mbante një qen bishtcub e hundmadh, që, veç në të parë, të kallte datën. Obobo! Në ëndërr po ta shihte gjyshi, do të çmendej! Hajde, kokëgdhe, hajde. Qeni në vend të fëmijës! Një marrëzi çoroditëse që mbamendja e farës së tij nuk e kapte dot si normalitet. Shtaza më besnike e njeriut, sipas traditës, çmohej edhe në vendlindje. Por, jo brenda shtëpisë, madje edhe në shtrat. Ai e kishte pasur vendin e caktuar, në kalibe, dhe ruante vathën e shtëpinë… Dhe, dalëngadalë, si në rrjetë merimange, të dy këmbët po i ngatërroheshin keq në një çizme. Luaje macë kryet e buallit!- kishte dëgjuar tek thoshin pleqtë në odën e tyre. Rrallë e më rrallë po i dilte kohë për t’i telefonuar gjyshit me njërën këmbë në varr. Dreq o punë. Njëherë, gjithë sa zgjati kuvendimi i tyre, nuk pushoi lehja e qenit, hipur në kanapen e sedeftë pranë dritarës. Kjo e kishte hutuar plakun, edhe pse i shkreti kurrë nuk e mori vesh e nuk e zgjodhi atë enigmë të mistërshme. Vajti në atë botë pa e parë niposhin e tij të dashur, që, edhe pse nuk i thoshin hapur për tjetërsimin e tij, e merrte me mend se një hata e madhe i kishte ngjarë …

Previous articleCandice Swanepoel sërish super e zjarrtë
Next articleEgjipt: Opozita thërret për biseda urgjente për krizën politike