Tirana vuajti shumë ndaj Kastriotit në “Elbasan Arena” por në fund mori një fitore të vyer 1-0. Bardheblutë e nisën me “marshin e pestë” ndeshjen, duke rrezikuar portën e Salit që në minutën e 3-të me Hasanin.
Edhe krutanët provuan të “ngacmonin” Bekajn. Stojanoviç goditi nga larg në minutën e 23-të, por e menjëhershme ishte përgjigja e portierit.
Pjesa e dytë filloi me presionin e skuadrës së Çelës. Stojanoviç mposhti “gardianin” e kryeqytetasve, sfera u largua nga Lulaj, që u shndërrua në hero për skuadrën e Shehit.
Goli që vlen 3 pikë vonoi nuk por nuk mungoi. Hila dërgoi sferën pas shpinë së portierit, duke ndezur festën në stadium. Kështu, Tirana kryeson me 59 pikë, 5 më shumë se Partizani. Kastrioti mbyll klasifikimin me 31 pikë.
Vllaznia ka zhgënjyer në shtëpi ndaj Egnatias, duke pësuar një disfatë 0-4. Ekipi nga Rrogozhina realizoi me Mëllugjn, Dëamena, Fernando dhe Jackson. Shkodranët e shohin veten në vendin e pestë me 42 pikë, ndërsa Egnatia pozicionohet në vendin e 3-të me 46 pikë.