Home Kulture “Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti”, promovohet libri për ikonën e artit shqiptar

“Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti”, promovohet libri për ikonën e artit shqiptar

Jeta dhe karriera artistike e aktores së madhe Tinka Kurti vjen tashmë në një libër të autores Anila Mema.

“Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” titullohet libiri i autores Anila Mema, i promovuar në një ceremoni ku ishin të pranishëm ministrja e Kulturës, Elva Margariti, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, aktorët Margarita Xhepa, Roza Anagnosti, Luftar Paja, etj.

“Tinka ia doli sërish jo vetëm të na mblidhte, por edhe të krijonte një atmosferë aq miqësore e të ngrohtë, sa vetëm një shkodrane plot humor si ajo mundet. E nderuar të merrja pjesë në promovimin e librit “Tinka Kurti-Ditari i një bashkëshorti” i autores Anila Mema, mbështetur plot dashuri e asnjë ngurrim nga Ministria e Kulturës”, tha Margariti.

Tashmë, vijoi Margariti, kemi në duar një libër që ka brenda vetes kaq shumë histori, dashuri, pasion, ndjesi personale.

“Një guidë për të rinjtë që duan të ndjekin rrugën e artit, për të gjithë ne adhuruesit e aktores, por edhe ndjekësit e kinematografisë, që janë rritur me rolet e së madhes, Zonjës Tinka Kurti dhe një plejade të tërë aktorësh të pakohë, të pamoshë. Një gjest guximtar, të ndash kaq shumë nga vetja”, tha Margariti.

Në karrierën e saj, Kurti numëron rreth 300 role në teatër dhe në kinema. Me role karakteri ajo spikati jo vetëm për dramën që këto role mbartën, por dhe me mënyrën e interpretimit.

Për të vlerësuar rolin e saj në kinematografinë shqiptare në Festivalin XI të mbajtur prej 23 deri në 27 prill 2000 në Tiranë iu dha Çmimi i Madh i Karrierës. Kurti u nderua me titullin “Artiste e Merituar” në vitin 1961. Për meritat e saj të mëdha artistike Tinka Kurti është vlerësuar edhe me titullin e lartë “Artiste e Popullit”.

Tinka Kurti ka marrë çmime të shumta, si në festivalet kombëtare të filmit, ashtu edhe në ato të teatrit. Këtyre çmimeve u shtohen edhe vlerësime të tjera të rëndësishme, si medalja “Mjeshtër i Madh i Punës”, akorduar nga Presidenti i Republikës.