Home Reportazh Thirrje e skeletave të Hadesit dhe shpirtërave të qiellit Epirot

Thirrje e skeletave të Hadesit dhe shpirtërave të qiellit Epirot

Nuk jam pjesë e atyre që gjurmojnë rastet për të folur apo shkruar. As pjesë e atyre që kërkojnë të “duken” se: “Ja edhe unë fola, shkrova, për tu gjendur në ndonjë qoshe patriotësh”. Jo, aspak. Unë jam pjesë e atyre qenieve që nuk priren nga gjuajtjet e rasteve, për t’u rrjeshtuar nëpër radhët e “për tu dukurve”. Por jam pjesë e atyre që ndaj veprimeve dhe mos veprimeve priren nga ndjenjat, nga serioziteti për të folur dhe shkruar vetëm të vërtetat e ngjarjeve pozitive dhe negative. Jo përsëritje të kërkesave të herë pas hershme, ku përgjigjet janë të njëjta, këmbëngulëse në mohim, pa llogjikë njerëzore; por kërcënuese fizike, apo dhe me statuse të përfituara qoftë dhe rastësisht në një kohë të caktuar.

Kjo hyrje në këtë shkrim lidhet me qëndrimet ndaj “Çështjes Çame” të ministrit të jashtëm grek, gjatë vizitës këto ditë në Tiranë dhe të disa reagimeve nga ndonjë përfaqësues shtetëror apo dhe individi apo shoqërie civile.

Edhe mua m’u kërkua mendim lidhur me këtë qendrim “kërcënues” të palës greke dhe “stepjen” e palës shqiptare. Në të vërtetë nuk e ndjeva të arësyeshme të reagoja, sepse siç shpreha më lart, të dy qendrimet e palëve janë një përsëritje absurde dhe unë nuk jam i prirur ndaj atyre qendrimeve të cilat bëhen për populizëm. Kjo nuk do të thotë që ngjarja e ndodhur me “Çështjen Çame” dhe gjenocidi grek ndaj një komuniteti me etni dhe besim fetar ndryshe nga ai ortodoks grek, të mbetet në heshtje. Jo, aspak. Përkundrazi, të mos ndiqet rruga: “….që ja, ne po merremi me këtë problem… por ç’ti bëjmë palës greke që nuk e njeh! Ajo thotë se është çështje inekzistente!” Kështu, me këto lloj manovrimesh dy palëshe, jemi ndeshur 78 vjet. Prandaj them që të mos vazhdohet me këto veprime, të cilat me pak vëmëndje na shpien në konkuzione të padëshiruara për ti emërtuar “mashtrime”.

Siç u shpreha me që mu kërkua mendim, shumë shkurt u shpreha me një mesazh të cilin e postova në fb, në revistën “Fjala e Lirë” e nja dy portale, të cilat i mirëpresin shkrimet për mbrojtjen e trojeve të kombit tonë.

Dhe komenti im ishte: “

[“Qendrimi i shtetit grek ndaj “Çështjes Çame” dhe gjenocidit grek ndaj çamëve, dihet fare mirë. Ngritja këtij problemi herë pas here, kur dihet qendrimi i prerë negativ i palës greke, jo vetëm humbet vlerat, por favorizon largimin në kohë. Në këto kushte, zgjidhja veç forcës, kërkohet duke i u drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës. Në mos dakortësi mes dy shteteve (shqiptare dhe greke), akt-akuza të dërgohet në Hagë edhe vetëm nga shteti shqiptar. Me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës, automatikisht merr zgjidhje edhe çështja e hapësirës detare. Kjo, sepse para vitit 1913, hapësira detare që diskutohet ndodhet në Sajadhë, hapësirë që nuk ka qenë asnjëherë hapësirë detare dhe tokësore e shtetit Grek.

Mos harrohet të vendoset kushti që në trupin gjykues të mos ketë anëtar me origjinë greke, siç ka ndodhur në raste të tjera “.

Fahri Dahri