Afganët tani janë kombësia më e madhe e emigrantëve që shkojnë në Britaninë e Madhe me varka të vogla, shkruan “ The Independent”, që citon shifrat zyrtare të qeverisë britanike.
Gazeta shkruan se “shifrat kanë kaluar shqiptarët në muajt e fundit dhe qeveria thotë se do të dërgojë afganët në Ruandë nëse vendos që kalimi përmes Francës i bën ata “të papranueshëm” për azil në Mbretërinë e Bashkuar”.
Zyra e Brendshme pretendoi se “nuk kishte nevojë” që ata të përdornin varka të vogla dhe tha se refugjatët duhet “të kërkojnë azil në vendin e parë të sigurt që arrijnë”.
Por një organizatë bamirëse akuzoi qeverinë se “i braktisi afganët nën terrorin e talebanëve ” dhe i detyroi ata të bënin kalime të rrezikshme për shkak të mungesës së alternativave.
Ministrat kanë kërkuar t’i karakterizojnë njerëzit që përdorin gomone për të arritur në Britani si “migrantë të paligjshëm” dhe jo “refugjatë të vërtetë”, por 98 për qind e kërkesave afgane për azil u pranuan në vitin 2022.
Vendi është ndër pesë të përzgjedhurit për një skemë të re të shpejtë, ku refugjatëve mund t’u miratohen kërkesat e tyre në bazë të pyetësorëve, megjithëse kjo vlen vetëm për njerëzit që kanë mbërritur përpara korrikut.
Shifrat e Zyrës së Brendshme të publikuara të enjten treguan se më shumë se 9,000 afganë kaluan Kanalin me varka të vogla vitin e kaluar, me shifra që u rritën në vjeshtë.
Një raport zyrtar tha se afganët “u bënë më të spikatur nga tetori në dhjetor”, duke shtuar: “Vetëm 9 për qind e mbërritjeve me varka të vogla ishin shqiptarë në atë periudhë. Afganët ishin kombësia kryesore për mbërritjet me varka të vogla në këta tre muaj, duke përbërë 33 për qind të mbërritjeve.”
Zyra e Brendshme tha se numri i afganëve që kalonin Kanalin ishte rritur që nga vera e vitit 2021 – kur talebanët morën kontrollin e vendit – me vetëm 494 afganë që kishin përdorur këtë rrugë në 2020, 69 në 2019 dhe vetëm tre në 2018.